Sinoptikanët: Reshje shiu deri në fund të marsit
Reshjet, të cilat kanë përfshirë vendin tonë, do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji. Për të gjithë ata që menduan se erdhi pranvera, duhet të presin edhe pak sa koha të hapet dhe temperaturat të rriten me disa gradë Celsius. Koha e vranët dhe rrebeshi i shiut, i cili shoqëroi vendin tonë përgjatë 24 orëve të fundit, do të vazhdojnë edhe sot. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve të Institutit të Hidrometeorologjisë, edhe sot moti do të jetë me reshje të vazhdueshme dhe të dendura shiu. Temperatura do të jetë konstante, ndërsa parashikohen edhe reshje dëbore në zonat e thella malore. Këto temperatura do të ulen nga 4 deri në 7 gradë Celsius. Sipas termometrit të institutit, dita e mërkurë dhe e enjte do të karakterizohet nga vranësira, por jo me të njëjtën sasi reshjesh. Ndërsa ditën e premte dhe në vazhdim moti do të jetë përsëri i vranët dhe me rrebesh shiu.
Ashtu siç e tregojnë edhe gojëdhënat, koha e "plakave", fundi i muajit mars dhe deri në ditët e para të prillit, moti është i ftohtë dhe me vranësira. Reshjet e shiut dje kanë arritur në 29 milimetra, era ka fryrë me shpejtësi 30 metër në sekondë, ndërsa dallgët e detit kanë arritur deri në 7 ballë.
Gjatë ditëve në vazhdim, vendi ynë do të vazhdojë të ndikohet nga një front i ftohtë i presionit atmosferik. Masat ajrore që qarkullojnë janë relativisht të lagëta dhe më të freskëta se 24 orë më parë. Moti parashikohet të jetë me vranësira të ndërrueshme dhe të dendura shoqëruar me reshje shiu. Era do të fryjë me shpejtësi 2-13 metra në sekondë në drejtimin juglindje-jugperëndim. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 3-5 ballë.
Disa nga temperaturat në qytetet kryesore do të jenë 8 dhe 16 gradë Celsius në Tiranë, 9 dhe 15 gradë Celsius në Shkodër. Temperaturat mesatare në Kukës do të jenë 6 dhe 16 gradë Celsius dhe në Durrës 7 dhe 14 gradë Celsius. Në Gjirokastër 5 dhe 13 gradë Celsius dhe në Vlorë 10 dhe 18 gradë Celsius.
SSSASS