Pranga policit, kërcënoi me armën e shërbimit
Një punonjës i policisë private ka kërcënuar një shtetas me armën automatike të punës. Aleksandër Koleta, 40 vjeç, i punësuar në një shoqëri private të ruajtjes së sigurisë fizike, që kishte për detyrë ruajtjen e degës së Bankës Popullore në Vlorë, është arrestuar dje nga forcat e komisariatit të këtij qyteti. Sipas burimeve policore, 40-vjeçari kishte rrëmbyer armën e shërbimit dhe kishte shkuar në ndihmë të vëllait dhe kunatit të tij, të cilët ishin zënë me një person tjetër. Të tre kanë rrahur dhe kërcënuar shtetasin A.G. me banim në lagjen "Pavarësia" të qytetit të Vlorës dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Shtetasi A.G. ka marrë plagë të rënda nga goditjet me grushte e mjete të forta dhe pasi është kuruar në spitalin e qytetit ka depozituar një kallëzim për rrahje dhe kanosje në Komisariatin e Policisë së Vlorës. Pas këtij denoncimi, një furgon i grupit të gatshëm është nisur në drejtim të banesave të tre shtetasve të akuzuar dhe i ka shoqëruar ata në komisariat. Në polici është mbajtur për disa orë edhe shtetasi A.G., i cili është ballafaquar me tre të akuzuarit. Sipas policisë, shkaku i sherrit ka qenë një grindje e çastit e vëllait dhe kunatit të policit privat me shtetasin A.G. Pas verifikimeve, policia i ka vënë prangat Aleksandër Koletës, me akuzën për rrahje dhe kanosje, ndërsa ka lënë të lirë dy të afërmit e tij. Materialet për hetim të mëtejshëm i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Vlorë.
SSSASS