E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Raportoni zonat me rrezik

Tragjedia e Gërdecit ka mobilizuar autoritetet e pushtetit vendor e qendror në Fier, që të identifikojnë rreziqet. Ky mobilizim nuk ka ardhur nga ndonjë urdhër i brendshëm i vetë institucioneve të ndryshme në Fier, por nga një kërkesë që është bërë nga Avokati i Popullit. Në fund të javës që shkoi, Avokati i Popullit ka dërguar në drejtim të të gjitha institucioneve vendore në vend një shkresë, me anë të së cilës kërkon informacion të hollësishëm për situatën e rreziqeve. Të përfshirë për prezantimin e situatës së rreziqeve, në rrethet Fier, Lushnjë e Mallakastër kanë qenë edhe ndërmarrje shtetërore, të cilat kanë në varësi të tyre objekte që paraqesin rrezikshmëri të lartë në fushën e sigurisë.

Nga disa prej drejtuesve të pushtetit vendor në Fier mësohet se një dokument i tillë ka mbërritur edhe pranë prefekturës. Kjo e fundit ka mbledhur urgjent paraditen e djeshme të gjithë përfaqësuesit me të lartë të komunave, bashkive dhe të sektorit prodhues, si shtetëror dhe privat në tri rrethet e qarkut Fier, Lushnjë dhe Mallakastër, me qëllim marrjen e masave konkrete. Bëhet e ditur se Avokati i Popullit ka kërkuar kryesisht nga bashkitë e komunat, si dhe nga ndërmarrjet vartëse të industrisë së naftës që brenda datës 31 mars pranë tij të mbërrijë raportimi i situatës së rreziqeve që u kanosen banorëve të Qarkut Fier.

Duket se me anën e këtij raportimi do të evidentohen disa nga rreziqet, që deri tani janë mbajtur të fshehura nga drejtuesit e njësive vendore. Prefekti i Fierit, Shahin Bejdaj, menjëherë pas njohjes me kërkesat e Avokatit të Popullit ka urdhëruar shtabin e emergjencave civile në qark që të evidentojë rreziqet që i kanosen komunitetit. Prefekti ka kërkuar nga shtabi i emergjencave civile dhe nga departamenti përkatës në prefekturë që të ndërhyhet si fillim në zonat pranë reparteve ushtarake, në të cilat qëndrojnë të depozituara municione të ndryshme. Vetëm rrethi i Fierit regjistron tri vatra të mëdha të depozitimit të municioneve, në të cilat nuk është ndërmarrë asgjë pas shpërthimit tragjik të Gërdecit. Afria e reparteve ushtarake me zonat e banuara është rreziku i parë që do t‘i përcillet Avokatit të Popullit. Repartet ushtarake të braktisura janë një rrezik i dytë mjaft i madh që i kanoset komunitetit të Qarkut të Fierit, çka pranohet edhe nga prefekti i Fierit Shahin Bejdaj, i cili në një prononcim për gazetën "Shqip" ka pohuar se do t‘i kërkojë qeverisë dhe autoriteteve përkatëse që të pastrojnë nga municionet çdo zonë që konsiderohet e pasigurt. Por shqetësim për komunitetin e Fierit, që do t‘i dërgohet edhe Avokatit të Popullit, është prania e magazinave me materiale plasëse si dinamit e tritol që përdorin Ndërmarrjet e Naftës. Miti Tapia, drejtor i Ndërmarrjes Gjeofizike Patos, që ka edhe një magazinë dinamiti, pohon rrezikun dhe ka kërkuar që këtë rrezik jo vetëm t‘ia bëjë të ditur Avokatit të Popullit, por edhe autoriteteve të tjera shtetërore, që duhet të ndërhyjnë për plotësimin e kushteve të sigurisë në godinat ku është vendosur lënda plasëse në fjalë. Në Fier paraqesin rrezik edhe nënstacionet e transmetimit të energjisë, që ndodhen shumë pranë qendrave të banuara. Ndërkohë, mjaft depozita gazi, si dhe karburantesh janë vendosur me leje nga Bashkia e Fierit brenda vijës së verdhë të qytetit.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›