E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dentistë të huaj punojnë tek ne pa licencë”

"Në vendin tonë ushtrojnë aktivitetin laborantë të huaj që nuk kanë dokumentet e nevojshme, të cilat u lejojnë punësimin në vendin tonë", këtë bën me dije Ministria e Shëndetësisë. 

Sipas këtij dikasteri, gjithçka është vërejtur nga kontrollet e ushtruara në subjektet e shërbimit dentar. Sipas specialistëve të ministrisë, për këto subjekte do të merren masa drastike deri në mbylljen e aktivitetit të tyre. "Nuk do të lejohet më ushtrimi i  profesionit në mënyrë klandestine", u shpreh specialistja e shërbimit dentar në ministri, Çiljeta Pasholli. Aktualisht po bëhen verifikimet përkatëse për evidentimin e mëtejshëm të këtyre subjekteve. Penalizimet e para ndaj laborantëve të huaj pa dokumente janë kryer në qytetin e Burrelit dhe të Tiranës, por problematik për shërbimin dentar konsiderohet edhe qyteti i Lezhës. Në bazë të informacioneve se një sërë stomatologësh ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencë, inspektorët kanë nisur  kontrolle intensive. Nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë  në vendin tonë ka vetëm 36 subjekte të huaja të licencuara. Ky dikaster po përgatit një hartë në rang vendi për evidentimin e të gjithë subjekteve që i takojnë sektorit stomatologjik. Deri më tani në Shqipëri ushtrojnë aktivitet mbi 725 klinika dentare private, 410 prej të cilave gjenden në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›