E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, përcaktohen orët e punës për pedagogët

Brenda një viti akademik pedagogët në universitetet publike duhet të plotësojnë orët mësimore të përcaktuara sipas titullit që mbajnë. 

zirina llambro

Çdo javë ata do të jenë të detyruar që të japin minimalisht 6 orë mësimore në auditorët me studentë. Veç mësimdhënies, veprimtaritë në të cilat do të angazhohet personeli akademik janë kërkimi shkencor, zhvillimi e transferimi i  teknologjisë, si dhe mbështetja për institucionin. Udhëzimi i fundit i Ministrisë së Arsimit ka përcaktuar rregullat e reja si dhe kategoritë e pedagogëve që bëjnë përjashtim prej tyre. Kështu për një vit akademik për personelin që ushtron funksionin e tij me kohë të plotë orët mësimorë që duhet të kryejnë janë në vartësi të titujve. Për titullin akademik "Profesor" janë përcaktuar për një vit 200 orë mësimore. Për personelin që ka titullin akademik "Profesor i asociuar" janë 220 orë mësimore. Sa i përket kategorisë së "Docentëve" nëse mbajnë titullin akademik "Docent" duhet të plotësojnë 300 orë mësimore, ndërsa me gradën shkencore "Doktor", 260 orë mësimore. "Lektorët" do të japin 260 orë mësimore gjatë gjithë vitit. "Mësimdhënia vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik", thuhet në udhëzim. Sipas tij, nga kjo klauzolë mund të përjashtohen deri 5 % e personelit akademik të fakulteteve, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e organizimit të tij. "Këto përjashtime vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e këshillit të fakultetit, mbi bazë të propozimeve të departamenteve", përcakton udhëzimi. Por gjithashtu MASH ka sanksionuar edhe veprimtarinë e drejtuesve të universiteteve që nga rektorët, dekanët e shefat e departamenteve.
Orët mësimore
Sipas udhëzimit, ora mësimore është 60 minutëshe. Seminaret, leksionet e praktika konvertohen në orë mësimore sipas rëndësisë. Kështu 1 orë leksion përkon me 1.5 orë mësimore, 1 orë ushtrime/seminare me 1.0 orë mësimore dhe 1 orë laborator- 0.8 orë mësimore. Ndërkaq 1 orë praktikë mësimore/profesionale konvertohet në 0.5 orë mësimore dhe 1 orë mësim shoqërimi në A. e Arteve, 0.5 orë mësimore. Veprimtaritë kërkimore përfshijnë  veprimtari krijuese të personelit akademik, nga pjesëmarrje në programe kombëtare të kërkimit dhe zhvillimit, në programe dhe projekte kërkimore që finalizohen me artikuj, monografi, studime e botime shkencore, programe doktorale etj. Gjithashtu personali akademik duhet të jetë pjesëmarrës në veprimtari për zhvillim dhe transferim teknologjie apo shërbimet e tjera me karakter të ngjashëm, në përputhje me programet dhe strategjinë institucionale, rajonale. "Veprimtaritë e personelit akademik me kohë të plotë të fakulteteve, të përcaktuara në pikat përkatëse të këtij udhëzimi, duhet të planifikohen si rregull jo më pak se 20% e të gjithë fondit të kohës vjetore të punës, respektivisht jo më pak se rreth 300 orë pune vjetore", citohet në udhëzim. Sipas tij, për personelin akademik me kohë të plotë të instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit, veprimtaritë e përcaktuara në pikat të këtij udhëzimi, duhet të planifikohen si rregull, jo më pak se 70 % e të gjithë fondit të kohës vjetore të punës, rreth 1050 orë pune vjetore.

Orët mësimore

1 - Për personelin akademik:
 Kategoria "Profesorë";
• me titullin akademik "Profesor", 200 orë mësimore;
• me titullin akademik "Profesor i asociuar", 220 orë mësimore
Kategoria "Docentë";
• me titullin akademik "Docent", 300 orë mësimore;
• me gradën shkencore "Doktor", 260 orë mësimore
Kategoria "Lektorë", 260 orë mësimore

 2 - Për autoritetet drejtuese të IAL publike:
a) Rektor/Drejtor Qendre Ndëruniversitare 50/50 orë mësimore
b) Kryetar i Këshillit të Administrimit, 120 orë mësimore
c) Zëvendësrektor/Zëvendësdrejtor Qendre Ndëruniversitare 70/50 orë mësimore
d) Dekan/Drejtor Instituti, 70/50 orë mësimore
e) Zëvendësdekan/Zëvendësdrejtor Instituti, 150/60 orë mësimore
f) Përgjegjës Departamenti/Qendre Kërkimi e Zhvillimi, 170/60 orë mësimore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›