Panik në autostradë, përplaset autobusi
DURRES - Panik kolektiv në autostradën Tiranë-Durrës. Një autobus i linjës që lidh Tiranën me Athinën, me 45 shtetas në bord, ka goditur befas beton-ndarësen e autostradës. Si pasojë e përplasjes së fortë, gjashtë panele betoni janë shpërbërë. Dëmtime të rënda ka pësuar edhe autobusi në pjesën e përparme të tij, por për fat të mirë pasagjerët nuk kanë pësuar as edhe një gërvishtje të vogël. Ka qenë ora 10:30 e paradites, kur në vendin e quajtur mbikalimi i Sukthit, autobusi që punonte për llogari të shoqërisë ndërkombëtare të transportit të pasagjerëve "Interbus", ka pësuar aksident. "Trafiku në autostradë është bllokuar për më shumë se 60 minuta", bënë të ditur autoritetet e n/seksionit të qarkullimit rrugor të Durrësit. Akt-ekspertimi është ende në proces e sipër, ndonëse mendohet se, shpejtësia e madhe e autobusit, e shoqëruar edhe me terrenin rrëshqitës të asfaltit, ka shkaktuar përplasjen. o.u