“Departamenti VI” – njësia e vrasjeve ligjore në Serbi
“Departamenti VI” në Serbi njihet si njësiti më misterioz për të cilin mendohet të ketë likuiduar, pa mëshirë dhe pa zhurmë, kundërshtarët e regjimit me pretekstin e rrejshëm të interesave nacionale
Njësiti për vrasje, i quajtur me emrin e koduar “Departamenti VI” (Šesto odjeljenje), i krijuar nga vetë kreu politik serb, thuhet se ka funksionuar vetëm 15-16 muaj. Prej 22 nëntorit 1999 e deri më shkurt 2001. Ishte i jashtëligjshëm dhe i paktë në numër. Gjithsej 15 veta. Struktura ishte e plotësuar me profesionistë dhe me kriminelë të rryer dhe ishte “veshur” formalisht, pahetueshëm, në strukturën oficiele të Qendrës së Sigurimit Shtetëror në Beograd. Ky njësit kishte kryer disa nga krimet më monstruoze ndaj personaliteteve të rëndësishme në Serbi. Edhe pse kryeshefi i njësitit, Ratko Romiq, deklaronte më vonë se ky njësit ishte formuar për të “zhvilluar aktivitete zbuluese-operative në botën e jashtme”, ai ishte marrë kryesisht me armikun e brendshëm. Me armiqtë e Sllobodan Millosheviqit dhe të kreut mafioz që asokohe e udhëhiqte shtetin, por edhe “ribërjen” e kombit në Serbi. Njihet si njësiti më misterioz për të cilin mendohet të ketë likuiduar, pa mëshirë dhe pa zhurmë, kundërshtarët e regjimit me pretekstin e rrejshëm të interesave nacionale. Në tradhtarë të këtyre interesave ishin futur të gjithë ata që të cilët ishin vlerësuar të rrezikshëm për diktatorin dhe klikën e tij. E këta ishin disa figura të rëndësishme të elitës politike, ushtarake, ekonomike të vendit të tyre. Ky njësit ishte shndërruar në instrument të qërimit politik të hesapeve, instrumenti më i fuqishëm në luftën në mes diktaturës që po binte dhe forcave demokratike e qytetare në vend. Përpos që tmerronte popullatën, ky njësit njëkohësisht po zhdukte të gjitha dëshmitë dhe dëshmitarët e luftërave dhe krimeve të përgjakshme në ish-Jugosllavi dhe në vetë Serbinë. Ky njësit ishte formuar atëherë kur SSHS (Sigurimi Shtetëror Serb) kishte dështuar në ekzekutimin e urdhrave të kreut kriminal serb për likuidimin e kundërshtarëve politikë. Në njërin nga atentatet e përgatitura nga Sigurimi i shtetit, ndaj politikanit serb Drashkoviq, kishin mbetur gjurmë, në bazë të të cilave u zbulua përfshirja e shtetit. Me këtë rast, pas hetimeve, ishte zbuluar se kamioni me të cilin ishte shkaktuar aksidenti i përkiste vetë shtetit. Pra, Sigurimit Shtetëror!
Prandaj, ishte formuar ky njësit, i paktë në numër, ku rekrutoheshin vetëm profesionistë të kalibrit të lartë dhe ku nuk kishte asnjë person të tepërt. Puna e këtij njësiti edhe sot e kësaj dite në shumë fusha mbetet misterioze. Ky njësit nuk kishte asnjë përshkrim të fushëveprimtarisë apo detyrave. Ishte formuar jashtë të gjitha rregullave dhe procedurave standarde ligjore. Kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë të angazhonte çdo pjesëtar aktiv të Sigurimit Shtetëror e posaçërisht të Njësisë për Operacione Speciale (JSO). U desh shumë kohë që të dëshmohej përzierja e këtij njësiti në krimet politike. Këtë e dëshmon edhe fakti se vetëm pas dhjetë vjetësh, pra në vitin 2009, ishte hapur një proces gjyqësor kundër Ratko Romiqit, i cili ishte shef i këtij njësiti. Ai akuzohej për ndihmën e ofruar në tentimin e vrasjes ndaj Vuk Drashkoviqit, në Budvë, më 15 qershor të vitit 2000. Për shkak të natyrës së tij konspirative, ky njësit ishte konceptuar të kishte vetëm 15 pjesëtarë, sepse me sistemim ishin paraparë vetëm 15 vende të punës. Në strukturë për “Departamentin VI” ishin paraparë vetëm kryeshefi, zëvendësi, sekretari administrativ-teknik, 4 pjesëtarë me kualifikim superior “për përgatitje dhe realizim teknik” dhe 8 pjesëtarë me përgatitje të lartë profesionale për “përgatitje dhe realizim teknik”. Deri vonë, nga të gjitha raportet zyrtare, dihej vetëm për 3 veta: kryeshefi Romiq dhe dy pjesëtarë të JSO. Dëshmitë për punën e këtij njësiti janë zhdukur. Askush nuk di ose nuk do të flasë për këto. Madje, as Goran Petroviq, kryeshefi i parë i SSH, i emëruar në janar 2001, pas ndryshimeve të tetorit të vitit 2000, kur në Serbi kishte një transicion kah demokracia, nuk kishte kurajë të fliste më tepër për këtë. Ai deklaronte që “nuk i kujtohet se më 27 shkurt e kishte nënshkruar vendimin për shpërbërjen e ‘Departamentit VI’”. Kam nënshkruar me qindra dokumente – arsyetohej ai. “Nuk mund t’i kujtoj të gjitha” - shfajësohej Petroviq. Duket e besueshme? Sikur ky të ishte një vendim ordiner. Sikur ky të ishte një njësit për pastrimin e rrugëve nga bora. Thuhet se ky njësit nuk shkruante raporte. Edhe me rastin e atentatit të dështuar ndaj politikanit Drashkoviq, kryeshefi i njësitit Ratko Romiq kishte deklaruar se “Milan Radonjiqit, shefit të Qendrës në Beograd, i kishte dhënë vetëm fotografi dhe skica të banesës së Drashkoviqit në Budvë dhe fotografi të ambienteve përreth banesës dhe rrugëve të qasjes te ajo”. Edhe për këto fotografi nuk mund të dëshmohej se lidhen drejtpërdrejt me përgatitjen e atentatit. Në deklaratë thuhej se Drashkoviq është përcjellë për shkak të kontaktit me një shtetas të huaj, “interesant për Shërbimin”. Në Qeverinë Kalimtare të vitit 2000, askush nuk kishte mbikëqyrje mbi SSH, e posaçërisht mbi këtë njësit. Kjo vazhdoi kështu derisa u ndërrua kryeshefi i SSH, Rade Markoviq. Askush nuk mund të hynte aty. Dëshmitë ishin zhdukur, shkatërruar. Dihej vetëm për ekzistencën e këtij njësiti dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar dhe kreun politik. Askush nuk merrte kurajë të marrë në dorë pataten e nxehtë. Megjithatë, Qeveria Kalimtare kishte bërë një hap duke formuar një komision të veçantë (POSKOK) me detyrë që të zbulojë tri vrasjet më të rënda me motive politike: atë të gazetarit Çuruvija, atë të katër funksionarëve të LPS (SPO) dhe zhdukjen e Ivan Stambolliqit. Në të gjitha hetimet e zhvilluara lidhur me këto raste arrihej deri te SSH, por jo edhe deri te faktet, sepse ky shërbim ishte një sistem i mbyllur. Gjëra të shkruara nuk kishte. Dëshmitarët ose ishin zhdukur, ose nuk bëheshin të gjallë. Natyrisht, pavarësisht shkeljes së të gjitha rregullave zyrtare me rastin e formimit të këtij njësiti sekret, pavarësisht shkeljes së të gjitha proceduarave formale për funksionimin e një njësiti të tillë, ai patjetër se ishte nën kontroll të dikujt. Ai nuk ishte një grup i vetëformuar dhe autonom. Tashmë dihet se çdo gjë punohej me urdhëresat nga SSH. Tashmë dihej se Radomir Markoviq, kryeshef i atëhershëm i SSHS, ishte lidhja formale dhe joformale me vetë pushtetin politik.
Sot dihet se ky njësit qëndron edhe prapa vrasjes së Pavle Bulatoviqit, ministër i Mbrojtjes i ish-RFJ, ish-politikanit Stamboliq, drejtorit të JAT-it Zhika Petroviq, gjykatësit Nebojsha Simeunoviq, e po ashtu edhe një ish-pjesëtari të JSO Lluka Pejoviq, për të cilin dyshohej të ketë qenë vrasësi i gazetarit Çuruvija (dëshmitar i mundshëm), etj. Edhe pse kishte operuar shkurt, gjurmët e asaj që kishte bërë ky njësit ndikuan esencialisht në rrjedhën e proceseve politike në Serbi. Problemi më i madh për një shoqëri demokratike është të dokumentohet aktiviteti i tyre pasi zakonisht këto struktura nuk lënë shumë gjurmë, raporte me shkrim, dokumentacion, apo urdhëresa me shkrim, por çdo gjë varet nga dëshmitë e vetë pjesëtarëve apo ndihmësve të tyre, të cilët kanë qenë ekzekutues.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”