Shqipëria përfaqësim konsullor Kosovës në vendet ku nuk ka ambasadë
Qeveria miraton vendimin për mbylljen e ambasadës në Argjentinë
Këshilli i Ministrave vendosi dje propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, në fushën e përfaqësimit konsullor”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi. Gjithashtu gjatë mbledhjes së sotme qeveria vendosi propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Katarit, për shërbimet ajrore”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi. Me propozimin e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Këshilli i Ministrave mori vendim edhe për propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare “Për thjeshtimin dhe harmonizimin e procedurave doganore”, bërë në Kyoto, më 18 maj 1973 (e ndryshuar)”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi. Ndërkaq, Këshilli i Ministrave ka vendosur gjithashtu, mbylljen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Buenos Aires (Argjentinë) me propozim të zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Sipas vendimit të publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi i cili hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.