Bamir Topi në rolin e OJQ-së, pas disa ditësh shfaqet në Temal, si njeriu që “ka muhabet” me borën

Shkon si shpëtimtar, nuk bashkëpunon me pushtetin vendor e qendror, me pak fjalë bën politikë me emergjencën natyrore
Edhe Presidenti Bamir Topi, e “prishi rehatin” dje dhe “Mori mundimin” të vizitonte një zonë, problematike prej borës. Rastësi apo jo, por edhe Bamir Topi, kishte zgjedhur, sikurse edhe Edi Rama, të vizitonte një komunë, sikurse e Temalit, që drejtohet nga një i zgjedhur vendor, që përfaqëson opozitën.
Nejse... Kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse Presidenti nuk do që të prishtë “traditën” në këtë drejtim. Për deri sa edhe ai ende është “politikan”, pse të mos bëjë politikë për politikë…, sipas mënyrës dhe zgjedhjes së tij. Më e çuditshmja e udhëtimit të djeshëm të Bamir Topit në Temal, lidhet me mënyrën e sjelljes dhe të vepruarit të tij. Duke u sjellë e vepruar si OJQ, megjithatë, ai arriti dje, që me udhëtimin e tij të djeshëm si shpëtimtarë, të ndalojë rënien e borës në Temal. Por, ama po kaq sukses ai ka pasur në këto ditë të emergjencës, edhe në mosbashkëpunimin dhe për më tepër në mosnjohjen e kontributit të institucioneve shtetërore, e pushtetit vendor.