Departamenti i Shtetit publikon foton e takimit të Kryeministrit Berisha dhe bashkëshortes së tij Presidentin amerikan, Barak Obama dhe Zonjën e Parë, Mishel
Faqja zyrtare e Departamentit Amerikan të Shtetit e më pas edhe siti i Këshillit të Ministrave publikuan dje foton e takimit të kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortes së tij me presidentin amerikan Barak Obama dhe Zonjën e Parë Mishele Obama, në pritjen e dhënë nga presidenti i SHBA-ve në Metropolitan Museum në Nju Jork, në vijim të punimeve të Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Fotoja zyrtare ishte publikuar më parë nga faqet zyrtare të institucioneve amerikane.
Gjatë këtij takimi kryeministri Berisha ka marrë urimin dhe vlerësimin e Presidentit Obama për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe faktin se Presidenti dhe Zonja e parë në Çikago ishin njohur dhe kishin miq shqiptarë, me të cilët kishin punuar. Në këtë kohë të limituar dhe përmes një takimi të kufizuar, u shfrytëzua nga kryeministri Berisha, për të ftuar Presidentin dhe Zonjën e parë për të vizituar Shqipërinë. Gjatë pritjes ceremoniale të organizuar në Muzeun Metropolitan të Arteve, kryeministri Berisha e ftoi presidentin Obama për një vizitë në Tiranë, duke e siguruar se në Shqipëri ai do të gjejë kombin më miqësor dhe mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan.
Kreu i qeverisë, konfirmoi për mediat e Tiranës, se premtimet e Presidentit të SHBA-ve, janë shumë shpresëdhënëse. Sipas Berishës, “Presidenti e vlerësoi ftesën time dhe unë u ndava i bindur se Presidenti Obama dhe Zonja e parë do të vizitojnë Shqipërinë në një udhëtim rajonal”. Megjithëse u zhvillua ky takim, ndërmjet kryeministrit Berisha dhe Presidentit Obama, nuk ishte publikuar asnjë foto apo video që ta pasqyronte këtë eveniment. Kjo për faktin e vetëm se ajo ishte një pritje private e organizuar nga çifti presidencial amerikan dhe kësisoj, mediat nuk u lejuan brenda dhe vetëm dje janë bërë publike fotot zyrtare të takimit.
...