Presidenca e BE premton kandidimin e Shqipërisë, konfirmon edhe vendimin për heqjen e vizave
Kryeministri suedez Reinfelt, vendi i të cilit ka presidencën e BE-së, si dhe ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini kanë konfirmuar dje se kishte ardhur koha për miratimin e kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të kandidatit. Ministri italian Fratini ka folur dje edhe për vendimin politik të BE-së, që brenda fundit të këtij viti, Shqipëria t’i bashkohet grupit të vendeve ballkanike, që do të përfitojnë heqjen e regjimit të vizave
Shqipëria do të marrë përgjigje për kërkesën e saj për statusin kandidat në BE, brenda Presidencës suedeze. Kjo është garancia që jep kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfelt dhe ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, duke konfirmuar kështu optimizëm e hapur, për një përgjigje pozitive lidhur me kërkesën e statusit kandidat. Përgjigja e Brukselit për aplikimin e Shqipërisë, e cila kërkon të marrë statusin e vendit kandidat, mund të ishte dhënë më herët. Por vonesat kanë patur tre arsye, së pari pritja për zgjedhjet në Shqipëri, së dyti, pritja e zgjedhjeve në Gjermani, dhe së fundi, kur këto kaluan, duhet pritur rezultati i referendumit të dytë Irlandez për miratimin ose jo të Traktatit të Lisbonës. Nëse Irlandezët votojnë sërish në shumicë kundër, gjë që sondazhet nuk e favorizojnë këtë herë, ekspertet thonë se çështja e zgjerimit, do të shtyhet sërish. Megjithatë, Fredrik Reinfelt, kryeministri i Suedisë, vendit që mban presidencën e radhës në Bashkimin Evropian, beson se këtë vjeshtë do të zgjidhet edhe çështja e aplikimit për Shqipërinë.
“Ne shpresojmë të jemi në gjendje t’i përgjigjemi aplikimit gjatë kësaj vjeshte, por nuk kemi ende një përgjigje se në cilën datë. Ka shume diskutime tani, në këtë moment në Bashkimin Evropian për çështjet e zgjerimit:, u shpreh Fredrik Reinfelt.
Për sa u takon dyshimeve për një pengesë të mundshme, kryeministri i Suedisë e hodhi poshtë.
“Jo, por ne jemi në një proces ku ne shpresojmë të ndryshojmë traktatet dhe shumë vende anëtare po e lidhin këtë me çështjet e zgjerimit. Por ne po bëjmë ç’është e mundur për t’u përgatitur si për vendet që kanë aplikuar, edhe për ato që janë brenda procesit të negociatave”, tha më tej Reinfelt.
Të njëjtën gjë pohoi edhe Ministri i Jashtëm Italian, Franko Fratini, i cili, ashtu si kryeministri suedez, dhe ai shqiptar, ndodhej në Nju Jork, për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Situata tani është e pjekur për vlerësimin e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim. Italia ju mbështet, presidenca aktuale, presidenca suedeze, gjithashtu ju mbështet. Para pak ditësh ne patëm një diskutim të shkurtër rreth kësaj në Bruksel dhe zoti Bildt, duke përmendur Shqipërinë, gjatë bisedimeve në tryezën e Këshillit, tha se ne duhet të ecim përpara. Kështu që unë shpresoj se asnjë vend anëtarë nuk do të ketë problem lidhur me kandidimin e Shqipërisë”, tha Fratini.
Ai u shpreh se gjithçka do të varet nga vlerësimet teknike të Komisionit Europian. “Politikisht mendoj se Evropa është gati t’i japë Shqipërisë dritën jeshile”, tha ai.
Por Shqipëria ka edhe një çështje tjetër të hapur me Brukselin, vendimin për liberalizimin e vizave. Shefi i diplomacisë italiane, paralajmëron veprime konkrete afër fundit të këtij viti.
“Për liberalizimin e vizave po bëhen disa rregullime teknike. Unë kam qenë ai që e lançoi këtë proces në Tiranë një vit e gjysmë më parë, prandaj, tani është koha për të përkthyer në rezultate konkrete sa më shpejt të jetë e mundur, shpresoj përpara fundit të këtij viti”, u shpreh Fratini.
Ai tha se “shpresoj shumë se Shqipëria do të shkojë përpara në integrimin e saj drejt Bashkimit Evropian”.
“Mendoj se tani është e mundur për të kaluar shumë shpejt aplikimin, e paraqitur nga Shqipëria në Drejtorinë përkatëse të Komisionit Evropian, dhe për të pasur përpara fundit të vitit vlerësimin e parë”, sqaroi më tej Fratini.
Që në fillim, Italia ka qenë një avokate e fortë e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim, tani, kërkesa është paraqitur, aplikimi është mbi tryezë.
Dhe do të varet nga vendet anëtare.
Për sa i përket Italisë, vendi fqinj konfirmon se do të vazhdojë të jetë një mbështetje shumë e fortë, për sfidat integruese të Shqipërisë.
...