E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitat, 42 për qind e parave në bankat e Tiranës



Bankat në kryeqytet mbajnë 42 për qind të depozitave të qytetarëve shqiptarë. Statistikat e raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se në Tiranë janë dhënë edhe pjesa dërrmuese e kredive. "Agjentët ekonomikë me rezidencë në Tiranë zotërojnë 42 për qind të depozitave, ndërkohë që kanë thithur rreth 69 për qind të kredisë."
Depozitat
Sipas bankës, tregu i depozitave shfaqet më i përqendruar për bizneset sesa për individët. "Rreth 90 për qind e depozitave të bizneseve qarkullon në rrethet me aktivitetin më të lartë ekonomik: Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier." Sipas raportit, rreth 78 për qind e depozitave të biznesit është në Tiranë. Nga ana tjetër, në Tiranë janë përqendruar rreth 1/3 e depozitave të individëve, pra kursimet që qytetarët dërgojnë në banka. Përveç Tiranës, e cila zë rreth një të tretën e depozitave të individëve, rrethet me emigracion të lartë, si rrethet bregdetare dhe ato të Shqipërisë së mesme, kanë gjithashtu një peshë të lartë në këto depozita. Duket se zonat malore, edhe pse kanë shumë emigracion dhe prurje nga jashtë, nuk parapëlqejnë të depozitojnë paratë në banka. "Ndonëse një pjesë e mirë e remitancave shkon në zonat malore dhe ato më të varfra të vendit, ato duket të përdoren kryesisht për të mbuluar nevojat për konsum, duke mos u kanalizuar në sistemin bankar."
Kredia për bizneset
Bizneset e rrethit të Tiranës kanë thithur rreth 74 për qind të kredisë për biznese. "Në Tiranë operojnë mesatarisht 40 për qind e bizneseve dhe gati gjysma e bizneseve me më shumë se 50 punonjës. Në përgjithësi, shpërndarja e kredisë, edhe pse shfaqet e pabarabartë, ndjek përqendrimin gjeo-grafik të bizneseve në vend. Gjithashtu, shpërndarja gjeografike e kredisë është në linjë edhe me profilizimin e rretheve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë."
Kredi për individë
Qytetarët e Tiranës kanë marrë rreth 59 për qind të kredisë për individë. Brenda kredisë për individë, kredia konsumatore figuron e shpërndarë njëtrajtësisht në rrethet e tjera, përveç kryeqytetit. "Ndërkohë, kredia hipotekare është e përqendruar. Rreth 85 për qind e saj është dhënë në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, duke reflektuar përqendrimin e lartë të aktivitetit të ndërtimit dhe zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme në këto qendra. Kredia hipotekare zë pjesën më të madhe të portofolit të kredisë për individë vetëm në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që në rrethet e tjera ajo zë mesatarisht rreth 35 për qind."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›