Nepravisha: Nga 100 khw të hedhur në rrjet, 50% s’arkëtohen
Niveli i madh i humbjeve dhe ai i ulët i arkëtimeve janë dy tregues që eficenca e konsumit të energjisë në vend lë për të dëshiruar. Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, gjatë paraqitjes së raportit vjetor para Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, e cilësoi këtë pikë si më të dobëtën e sistemit energjetik. "Praktikisht në 2009-ën humbjet më të mëdha dhe arkëtimet më të vogla i kemi pasur në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, që përben rreth 80% të gjithë humbjeve. Si total, me gjithë OST, për vitin 2009 humbjet ishin 35.4 %, kurse OSSH i raportoi në fund të vitit 33.9% dhe një nivel arkëtimi 76.4%", tha Nepravishta. Më tej, ai shtoi se duke marrë parasysh arkëtimin 74.6% të një energjie të faturuar në masën 66%, llogaritet që vetëm 41.4% e saj të arkëtohet. "Pra, nga 100 khw orë që furnizohen vetëm 50 khw arkëtohen. Kjo është një eficencë shumë e ulët, që ne e kemi pasur problem për vite me radhë dhe menduam se privatizimi i OSSH-së do ta zgjidhte", - shpjegoi kreu i ERE. Një pikë tjetër ku është ndalur kryetari i Entit të Energjisë ishte edhe ajo përpjekjeve për futjen e Shqipërisë në rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror si nevojë e TEC-it në Vlorë, çka do të ulte koston e prodhimit të energjisë. "Aktualisht prodhojmë 10 milionë m3 gaz natyror në vit dhe ky përdoret vetëm nga uzinat e përpunimit të naftës. Futja e gazit natyror më tepër tani që TEC Vlora përfaqëson një konsumator të rëndësishëm, me rreth 250 milionë m3 në vit, do të ishte shumë e leverdishme. TEC-i është i detyruar të punojë me naftë diesel me kosto shumë të lartë dhe për pasojë çmimi i energjisë nga ky TEC është shumë i lartë, çka e bën atë të trajtohet si një TEC i sigurisë së prodhimit", u shpreh Nepravishta.