E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i bregut të Jugut, BB heq dorë nga përdorimi i tokës



Pas më shumë se një viti, Banka Botërore ka vendosur të rihapë fondet për projektin e Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit në Shqipëri. Por ndryshe nga projekti i firmosur në vitin 2005, këtë radhë banka ka hequr komponentin kryesor, atë të menaxhimit të tokës. Kjo pas debatit dhe kontrollit në Shqipërisë nga Paneli i Inspektimit. Bëhet fjalë për projektin e Bankës Botërore, i cili lejoi shembjen e ndërtimeve pa leje në Jalë. Debati i atëhershëm mes Qeverisë dhe Bankës Botërore, dhe dërgimi i grupit të kontrollit nga selia qendrore e bankës në Amerikë, bëri që bordi i drejtorëve të pezullonte disbursimin e fondeve. Në njoftimin e djeshëm të Bankës Botërore, theksohet se që nga data 22 mars e këtij viti, fondet janë sërish të lira të lëvrohen. Por, me një ndryshim. Pika e parë e projektit të financuar nga banka në fillim të vitit 2005, ishte "përgatitja e Planit të Zhvillimit të Bregdetit të Jugut dhe të planeve lokale të përdorimit të tokës". Mbi bazën e kësaj pike të programit, u bënë edhe shembjet dhe filloi debati për Jalën. Në projektin e ri, të miratuar para disa ditëve, kjo pikë është hequr. "Për ristrukturimin e këtij projekti u diskutua dhe u ra dakord me Qeverinë shqiptare. Projekti i ristrukturuar do të mbështesë infrastrukturën më të nevojshme, që lidhet me përmirësimin e kushteve të mjedisit dhe higjienës, të cilat janë shumë të rëndësishme për një zhvillim afatgjatë të bregdetit dhe turizmit. Ky ristrukturim pasqyron ndryshimet e ndodhura në mjedisin ekonomik, financiar dhe teknik që nga projekti fillestar dhe i jep zgjidhje çështjeve të hartimit dhe zbatimit të projektit që u ngritën nga Raporti i Investigimit të Panelit të Inspektimit", theksohet në njoftimin e bankës. Në po të njëjtin njoftim, banka thekson edhe pikat e reja të projektit. "Në mënyrë më specifike, projekti do të vazhdojë të mbështesë investimet për: (i) pastrimin e mbetjeve të rrezikshme në Porto Romano; (ii) ndërtimin e një hapësire për mbetjet e ngurta për Bashkinë e Sarandës dhe një stacioni transferimi në Himarë në mbështetje të menaxhimit të përmirësuar të mbetjeve të ngurta; (iii) rikonstruksionin e portit të Sarandës për të mundësuar hyrjen e trageteve për pasagjerë në Bregdetin e Jugut; (iv) sistemin e ujësjellës-kanalizimeve në qytetin e Sarandës; (v) investimet me bazë komunitetin në fshatrat e Bregdetit; dhe (vi) menaxhimin e zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar të Butrintit". Pra siç shihet, në asnjë nga këto pika nuk është "përgatitja e Planit të Zhvillimit të Bregdetit të Jugut dhe të planeve lokale të përdorimit të tokës". Nga ana tjetër, banka ka hequr edhe përgjegjësinë. "Projekti i ristrukturuar do të zbatohet nën përgjegjësinë direkte të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kostoja totale fillestare e projektit ishte 38.5 milionë dollarë. Afërsisht 23 për qind të fondeve totale të projektit të financuar nga IDA janë disbursuar deri tani".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›