Sheshi “Skënderbej”, sherr në Kuvend
Erald Kapri
Sheshi "Skënderbej" ishte lajtmotivi i debatit mes maxho-rancës dhe opozitës në seancën e dje-shme parlamentare. Kryeministri Sali Berisha deklaroi në Kuvend se nisja e punimeve për sistemimin e sheshit po bëhet pa pasur një studim për trafikun e qytetit. Ai tha se projekti i bashkisë do të bllokojë trafikun e qytetit, ndërsa shtoi se kërkon bashkëpunim me kreun e bashkisë, Edi Rama. Kreu i Qeverisë vuri dy kushte, një studim për trafikun e Tiranës dhe rikthimin e pazarit të vjetër të qytetit, i cili ka ekzistuar ku ndodhet sot Pallati i Kulturës. "I propozoj zotit Rama të marrim kompaninë më serioze të studimit të trafikut. Le ta faktojë kjo kompani, cila është zgjidha e trafikut", tha Berisha, duke shtuar se "Qendra e Tiranës është më keq se qendra e Vithkuqit apo Tropojës. Unë kam vetëm një kusht dhe ky kusht është tregu. T'i kthejmë Tiranës tregun". Kryeministri vuri theksin te problemi i trafikut, duke shtuar se projekti i bashkisë mund të bllokojë trafikun e qytetit. "Imagjino të gjithë për një moment, kur sheshet janë të mbushura me vetura, se si do t'i zgjidhë një segment nga hotel "Peza" tek "INSIG"-u me dy korsi, trafikun e gjithë qytetit. Kjo është arsyeja që nuk dua të bëhem as bashkëfajtor dhe as bashkautor, pasi kjo do t'i jepte një goditje trafikut", tha në Kuvend, Berisha.
Opozita
Përgjigjja e opozitës ishte e menjëhershme, nëpërmjet kreut të grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili tha se deklarata e Berishës ishte një shashkë e radhës. Sipas Ruçit, Berisha kërkon të spostojë vëmendjen e qytetarëve nga kriza politike. "Kryeministri, ashtu si në momente të caktuara hedh shashka për ligjin e homoseksualëve, kësaj radhe hodhi shashkën për sheshin "Skënderbej", për të spostuar vëmendjen nga debati për zgjidhjen e krizës politike, zgjidhjes së krizës së transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe zgjidhjes së krizës ekonomike sociale dhe asaj institucionale. Kjo seancë 60-minutëshe është që deputetët të flasin për hallet që kanë dhe jo të flasë Kryeministri për hallet që ka", tha Ruçi, duke u kërkuar deputetëve që ta vlerësojnë reagimin e Kryeministrin si "shashkën e radhës". Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha më tej se Berisha gënjen 365 ditë të vitit, duke shtuar se s'ka si të mos gënjejë ditën e gënjeshtrave, më 1 prill. "Qytetarë e të nderuar kolegë, mos e merrni seriozisht se sot është 1 prill dhe njeriu që gënjen 365 ditë, nuk mund të rrinte pa gënjyer edhe ditën e gënjeshtrës" - shtoi Ruçi. Në reagimin e tij në Kuvend, Ruçi nuk la jashtë vëmendjes kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Ruçi tha se një qytetar nga Shkodra e kishte telefonuar, duke i thënë se Kryeministri nuk kërkon të hapë kutitë se mund të mbytet brenda. "Unë shtrova tri pyetje për veten. Kush foli, përse foli dhe ku foli. Foli Kryeministri, foli për marrëdhëniet e tij me pushtetin vendor dhe foli në Parlament që vetëm për këtë punë s'ka punë. U mbyt Shkodra dhe një shkodran më mori në telefon. çfarë na bëtë ju socialistët zoti Ruçi? Po përse i thashë. Edhe përmbytjet e Shkodrës ne socialistëve na i faturuat? Po më tha se ju socialistët po vazhdoni të kërkoni me insistim hapjen e kutive. E zoti Berisha nuk është budalla që të hapë kutitë e të mbytet vetë, por hap digat e na përmbyti ne", u kundërpërgjigj më tej Ruçi.
Reagimit të kreut të grupit parlamentar të PS-së iu përgjigj Kryeministri Berisha, i cili përsëri ofertën e tij për të bashkëpunuar në rindërtimin e sheshit "Skënderbej". Më pas kreu i maxhorancës la seancën parlamentare, ndërsa vijuan diskutimet deputetët e tjerë. Disa deputetë të opozitës kërkuan transparencën e zgjedhjeve, ndërsa në fund të diskutimeve të lira, ata braktisën seancën. Deputetët e maxhorancës votuan të vetëm nismat ligjore të pranishme në kalendarin e ditës. Në Kuvend folën deputetë e PS-së si Fatmir Xhafa, Ermelinda Meksi, Ilir Beqja, Vasilika Hysi, Aflred Dalipi, Ethem Ruka. Ndërsa nga maxhoranca folën Nasip Naço, Gent Strazimi, Ridvan Bode, i cili përmendi edhe shifrat e tremujorit, duke thënë se ka një rritje prej 30 për qind të të ardhurave në dogana. Seanca mbylli punimet rreth orës 20:35, ndërsa deputetët e opozitës u larguan 30 minuta më parë.