Opera "Carmen" e Georges Bizet vjen premierë absolute në TOB
Opera botërore kanë zbritur këtë sezon në skenën teatrore. "Carmen", është opera e famshme e Georges Bizet, e cila vjen premierë absolute për publikun shqiptar, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Janë pikërisht balerinët e njohur Enada Hoxha dhe Gerd Vaso ata, që do të sjellin të realizuar këtë vepër, mbrëmjen e datës 11 Prill. Gjithçka vjen si një bashkëpunim mes TKOB, si një prej institucioneve më të rëndësishëm të kulturës në vend dhe Balletto del Sud. Ndërkohë që kjo vepër vjen nën koreografinë, skenografinë dhe kostumet e Fredy Franzutti, që është një nga koreografët më të njohur dhe me të vlerësuar italianë. Ashtu si u përmend edhe më sipër "Carmen" do të interpretohet nga primabalerina Enada Hoxha, e cila këtë eksperience e ka provuar edhe në Itali një vit më parë, ku koreografi Manzutti e mori në trupën e tij si soliste, për të interpretuar së bashku me Gerd Vason rolet kyesore të këtij baleti. Konkretisht, së bashku me trupën e Kompanisë "Balletto del sud", Enada në rolin e Karmenit dhe Gerdi në atë të toreadorit Eskamilo, interpretuan në skenat e Bolonjës, Leçes e Modenës. Tashmë, ata janë duke u përgatitur që këtë pjesë ta sjellin edhe para publikut shqiptar. Vetë balerina e njohur Hoxha është shprehur për mediat se ndihet mjaft e lumtur që interpreton në këtë vepër dhe se kjo e fundit është një nga ato pjesë ku ajo kishte ëndërruar prej kohësh të ishte e pranishme dhe ta sillte mbi të gjitha para publikut shqiptar. Ky balet me 2 akte, bazohet në tregimin e Prosper Merimee. Një opera që sillte në skenë një subjekt të gjykuar imoral dhe një muzikë gjithashtu kundër rryme. Pjesa do të vijë nën interpretimin e Enada Hoxhës, Gerd Vasos, Dion Gjinikës, Rovena Shqevit, Evis Nallbanit etj. Por, qysh nga fillimi i këtij viti në skenën e TKOB kanë zbritur premiera të mëdha, që janë përcjellë mes duartrokitjesh nga publiku shqiptar. Kështu, kanë ardhur për gjithë admiruesit e skenës teatrore dhe operës, vepra të autorëve e kompozitorëve me famë botërore, nën interpretimin e arsitstëve të njohur shqiptarë e të huaj. Në këtë drejtim mund të përmendet ngjitja në skenë e operës “Rigoleto”, e cila solli për spektatorin një ëdama të thellë të pasionit, tradhëtisë dhe hakmarrjes, përgjatë datave 20, 21, 23, 24 dhe 25 Mars. Solistë të njohur të TKOB kanë interpretuar në një nga veprat më mëdha të repertorit klasik botëror, siç është kjo vepër e Xhuzepe Verdit e me libret të Francesco Maria Piave (sipas dramës së Viktor Hygo). Duhet theksuar se nuk është hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën teatrore shqiptare, por ky realizim i fundit i saj shënon plot herën e katërt që ajo do të vijë për spektatorin shqiptar. Në këtë mënyrë kjo dramë ka njohur më parë 3 variante skenike të saj, duke filluar nga viti 1965, në të cilin regjisori Luigj Gurakuqi në bashkëpunim me dirigjentin e njohur Mustafa Krantja e kanë sjellë këtë opera për herë të parë në vendin tonë. Ndërkohë që, Xhilda dhe Rigoletoja i parë kanë qenë bashkëshortët Nina dhe Avni Mula. Ndërkohë një tjetër vënie në skenë e kësaj opere ka qenë ajo e vitit 1994, kësaj here me regji të Nikolin Gurakuqit dhe të tjerë solistë të njohur të TKOB kanë interpretuar në rolet e saj, përkatësisht Marjana Leka nën petkat e Xhildës dhe tenori Adrian Xhema, Agim Duro dhe Ymer Kacaj, kanë realizuar personazhin e Rigoletos. Viti 2005 do të shënonte edhe 50 vjetorin e kësaj premiere, të cilën kësaj here do ta ringjiste përsëri në skenë regjisori Nikolin Gurakuqi. Xhilda u interpretua sërish nga Marjana Leka, dhe Etleva Golemi, Rigoleto nga baritoni italian Pietro Terranova dhe ai shqiptar Ylber Gjini. Ndërkohë që “Manon Lescaut”, ishte një tjetër premierë e realizuar, po në skenën e TKOB. Mund të themi se ky institucion kishte rezervuar në këtë mënyrë, në fillim te sezonit të vet, emocione të veçanta për publikun e kryeqytetit. Një ndër veprat më të mira të Xhakomo Puçinit erdhi përgjatë datave 14, 16, 18 e 20 Shkurt. Në të kanë interpretuar zërat më të bukur të TKOB, si Eva Golemi, Shpresa Beka, Irini Nikolla, Armando Likaj, Sidrit Bejleri, Erlind Zeraliu, Manjola Konjari, Klodiana Laze, Sofika Kola, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Genci Vozga, Sokol Tomorri. Skenografia i ishte besuar Genc Shkodranit ndërkohë që dirigjent i orkestrës ishte italiani Gianluca Martinenghi. Regjisori Nikolin Gurakuqi ka zgjedhur për publikun një opera me katër akte, e cila solli një hisori interesante dashurie e pasioni në fillim të sezonit të ri të vitit 2010, gjithashtu edhe në muajin shkurt, muajin e dashurisë.
2 Prill 2010