Depozitat e naftës, afat deri më 30 qershor
Qeveria shtyn me 6 muaj aktivitetin e përpunimit të naftës në portin e Durrësit dhe Shëngjinit
Kompanitë e importit të naftës dhe nënprodukteve të saj, do të kenë një afat të ri për heqjen e depozitave të tyre në portet e Durrësit dhe Shëngjinit.
Me një vendim të marrë dje, qeveria ka shtyrë edhe për gjashtë muaj afatin e heqjes së tyre nga këto porte. Në korrik të vitit të kaluar, qeveria mori një vendim për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve që transoprtojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në këto dy porte, vendim i cili hynte në fuqi këtë muaj.
Por, me vendimin e djeshëm, afati i mbylljes së këtij aktiviteti në dy portet kryesore të vendit, do të jetë data 30 qershor e këtij viti. Qeveria, më parë njoftoi me një letër zyrtare Shoqatën e Importuesve të Hidrokarbureve, ndërsa dje ajo miratoi vendimin. Imoprtuesit nuk e kanë pritur mirë vendimin për ndërprerjen e përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Ata pretendojnë se kanë investuar miliona euro në depozita në portet e Durrësit dhe Shëngjinit dhe ky vendim i shkatërron përfundimisht dhe i bën të pavlefshme investimet e tyre. Sipas shoqatës, kompanitë e licencuara ligjërisht nga shteti u janë përgjigjur të gjitha detyrimeve ligjore dhe kanë investuar kapitale të konsiderueshme në transportin detar, në ngritjen e depozitave bregdetare dhe të brendshme.
"Vetëm në Porto Romano, pas vendimit përkatës të qeverisë, janë investuar në pontil dhe në depozita, të cilat kanë kapacitet jo më pak se 20 mijë ton karburant për çdo kompani, mbi 200 milionë euro, të cilat tashmë rrezikohen të dalin jashtë funksionit, pas vendimit të qeverisë",- thuhet në një letër të dërguar disa kohë më parë Kryeministrit Berisha.
Vendimet e marra nga qeveria për ndalimin e tregtimit të naftës D2 nga kompanitë importuese dhe atë të përpunimit të saj në portet e Durrësit dhe Shëngjinit, operatorët e tregut të karburanteve në vend, i kanë konsideruar si shkatërruese për biznesin e tyre. Këto kompani paguajnë detyrime fiskale deri në 260 milionë euro çdo vit.