E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur toka e shitur i është njohur subjektit të shpronësuar, të ardhurat nga shitja i kalojnë direkt atij

Shtesa në ligj, si do të kompensohen ish-pronarët

Ish-pronarët do të kompensohen financiarisht edhe nga fondi që do të merret nga privatizimi i objekteve shtetërore. Shtesa e bërë në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", miratuar dje nga qeveria, i lë në kompetencë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave, të drejtën për të shitur pronat publike, shoqërive, të cilat ushtrojnë aktivitet tregtar në tokat ose objektet publike.

Të ardhurat që do të merren nga shitja e këtyre trojeve ose ndërtesave, do të kalojnë për kompensim financiar.

Ndërsa sipërfaqja tjetër, nëse ka të tillë, pas shitjes do t'i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar.


Në shtesat e miratuara dje parashikohet, gjithashtu, që kur toka e shitur i është njohur subjektit të shpronësuar, të ardhurat nga shitja i kalojnë direkt atij. Ndërsa kur toka ka qenë dhe është në pronësi të shtetit, të ardhurat nga shitja kalojnë në fondin e kompensimit. "Nëse shoqëria refuzon blerjen e tokës, brenda afatit të përcaktuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, toka i kthehet fizikisht pronarit të shpronësuar, kur ka të tillë, dhe marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë dhe subjektit rregullohen sipas legjislacionit civil shqiptar",- thuhet në ligjin e ri të miratuar dje.



Për kompensimin financiar të kësaj shtrese do të shkojnë edhe të ardhurat e përfituara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave.


Gjithashtu, shtesat e reja parashikojnë atë që ka deklaruar edhe më parë Kryeministri Berisha për kompensimin financiar për ish-pronarët nga të ardhurat e privatizimit. Kështu ai, dje, ka deklaruar edhe njëherë se 10% e të ardhurave të kompanive të zotëruara nga shteti shqiptar, të tilla si Albtelecom-i, ku qeveria nxori dje në shitje 16.8% të aksioneve që zotëron, të ardhurat nga INSIG-u, nga ku ajo ka marrë 25 milionë euro, të ardhurat nga shitja e OSSH-së, për të cilët një kompani çeke ka ofruar 102 milionë euro, si dhe nga të ardhurat e kompansië së përpunimit të baftës, Armo, për të cilën blerësi ka paguar 128 milionë euro.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›