Afatet, Olldashi paralajmëron kompanitë e Durrës-Kukës
Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, paralajmëron se nuk do të firmoset asnjë situacion, nëse shtyhen afatet
Vonesat kanë ardhur në ato akse, ku janë projektuar ura dhe vepra të tjera arti, në aksin Kukës-Morinë
KUKËS - Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka paralajmëruar kompaninë maqedonase Granit, për vonesat në ndërtimin e urave dhe viadukteve, në segmentin rrugor Kukës-Morinë, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Olldashi ka thirrur në një takim në zyrën e tij në Tiranë, drejtuesit e kompanisë maqedonase, duke ua bërë të qartë se deri me datë 23 maj ato duhet të përfundojnë punimet, pasi pas kësaj date nuk do të kishin mundësi të firmosnin asnjë situacion për punimet e kryera. Ai paralajmëroi se do të inspektojë punimet në aksin Kukës-Morinë, për të vlerësuar nga afër situatën në terren. Afrimi i fushatës elektorale ka angazhuar strukturat e qeverisë për të përfunduar sa më parë projektin më të madh dhe më të shtrenjtë në vend. Por parashikimet, nisur edhe nga ritmi i punimeve në sektorin e urave e viadukteve, nuk japin asnjë garanci se ato do të përfundojnë brenda afatit, që është 25 maji i këtij viti, të përcaktuar pas dy shtyrjeve. "Pas 23 majit ne nuk kemi asnjë të drejtë të firmosin situacionet e kompanisë Granit, pasi është afati i fundit pas dy shtyrjeve të afateve të dorëzimit dhe asnjë institucion në Shqipëri nuk ka të drejtë të ndërmarrë iniciativë për ndonjë shtyrje tjetër", - thotë njëri nga supervizorët e kompanisë Tecnic Sintagma &SËS, i cili mbikëqyr punimet në aksin Kukës-Morinë. Segmenti Myç-Mamëz-Kukës-Morinë, është etiketuar ndryshe si "rruga e urave". Këto vepra arti, pas tunelit të Kalimashit, janë më të vështirat për nga realizimi. Segmenti rrugor Kukës-Morinë ka në projekt me shtatë ura, ku më e madhja është ura pranë ish-Uzinës së Bakrit në Rexhepaj, 400 metra e gjatë, 50 metra e lartë dhe me 10 këmbë. Kjo është ura më e madhe për nga gjatësia në të gjithë autostradën, nga Miloti deri në Morinë. Deri tani, në këtë segment kanë përfunduar pothuajse pesë ura dhe kanë mbetur pa përfunduar dy ura në lotin e dytë, ku përfshihet edhe ura e Uzinës, e cila ndodhet në fazën e ndërtimit të këmbëve. Për këtë urë është në përfundim prodhimi i trarëve, të cilët janë vendosur në një pjesë të rrugës në jug të urës së -Uzinës. Ndërkohë që, edhe viadukti mbi fshatin Breg Lum vazhdon të jetë në fazën e betonimit të këmbëve. Sipas specialistëve të kompanisë supervizore, Tecnic Sintagma &SWS, vendosja vetëm në një krah e trarëve vështirëson se tepërmi transportin dhe vendosjen nëpër bazamente, po të kemi parasysh edhe faktin se ura e Uzinës është e projektuar që të jetë një urë me kthesë. "Është ofruar një kompani italiane e specializuar, që disponon vinça që mbajnë një ngarkesë deri në 1 mijë ton, e cila i ka paraqitur ofertën kompanisë Granit, për transportin e trarëve deri në bazamentet e këmbeve të urës, në një kohë të shkurtër, për një vlerë prej 200 mijë eurosh, por kompania Granit nuk e ka pranuar ofertën", - shprehet supervizori i kompanisë Tecnic Sintagma &SWS.
Kompanitë tejkaluan afatet me 16 muaj
Kompanitë shqiptare filluan punën për ndërtimin e segmenteve rrugore nga Morina në Kukës dhe më pas deri në Myç-Mamëz, në gusht të vitit 2006 dhe, në bazë të kontratës, objektin kishin për ta përfunduar në shkurt të vitit 2008. Ky segment rrugor është ndarë në 7 lote, ku fituese të 7 loteve janë shpallur 6 firma shqiptare dhe 1 maqedonase, nga 80 kompani vendase dhe të huaja që konkurruan për 7 segmentet e kësaj rruge. Ndërkohë që kompania maqedonase Granit, në bazë të kontratës kishte për t'i filluar punimet në fund të gushtit të vitit 2006 dhe për t'i përfunduar me 13 nëntor të vitit 2007. Kjo kompani ka kontratë me qeverinë shqiptare për të përfunduar të gjitha urat dhe viaduktet në segmentin Kukës-Morinë.