Ndërtuesit: Plani ynë për krizën
"Qeveria duhet të thjeshtësojë procedurat për pjesëmarrjen në tenderë. Përshpejtim të planeve urbanistike"
Kriteret e reja të qeverisë për licencim, kanë lënë jashtë tregut formal 34% të firmave të ndërtimit.
TIRANË - Tregu i ndërtimit në vend po përballet me krizë dhe qeveria, me vendimet e saj, vetëm sa e ka përkeqësuar aktivitetin e këtij sektori. Shoqata e Ndërtuesve, në aktivin e saj ka parashtruar një sërë masash urgjente, të cilat duhet të marrë qeveria për të lehtësuar situatën e krijuar në këtë treg, i cili gjeneron rreth 1.2 miliardë euro çdo vit, ose rreth 12% të Produktit të Brendshëm Bruto. Përfaqësuesit e shoqatës thanë se ulja e ritmeve të shitjes së apartamenteve, minimizimi i lejeve të ndërtimit, detyrimet e larta fiskale, kanë vështirësuar operimin normal në sektorin e ndërtimit. Kështu, si pasojë e uljes në maksimum të lejeve të ndërtimit në të gjithë territorin e vendit, ndërtuesit kanë kërkuar përshpejtimin e procedurave të miratimit të planeve rregulluese të qyteteve dhe të ligjit për urbanistikën. Në këtë mënyrë do të zhbllokoheshin lejet dhe do të kishte një mbarëvajtje normale të këtij tregu. Gjithashtu, ndërtuesit kërkojnë nga qeveria edhe rishikimin e ligjit të prokurimeve publike, i cili, në formën që është tani, sjell pengesa të mëdha për shoqëritë gjatë procesit të tenderëve. Sipas tyre, duhet bërë e mundur që një kompani pjesëmarrëse në një tender, të mund t'i paraqesë të dhënat që kanë të bëjnë me zhvillimin e një tenderi, duke i përmbledhur në një dokument të vetëm. "Është e panevojshme dhe e paarsyeshme që të kërkohet nga shoqëritë e ndërtimit të përsërisin të gjithë dokumentacionin dhe të paraqesin vërtetime pafund, ndërkohë që këto dokumente janë paraqitur në momentin e kategorizimit të tyre", - citojnë ata. Në fakt, më shumë se tkurrja e lejeve të ndërtimit, fiksimi i çmimeve të ndërtimit nga qeveria apo dhe burokracitë në tenderë, ajo që i shqetëson më shumë ndërtuesit është ulja tej mase këto kohët e fundit, e kërkesës për banesa. Si pasojë e zhvillimeve negative në ekonomitë e vendeve ku ata punojnë, emigrantët, të cilët konsiderohet edhe si blerësit më të mëdhenj në tregun imobiliar, kanë ulur me 30 për qind dërgesat e tyre. Kjo dukuri ka sjellës mungesë likuiditeti tek kompanitë, që nuk mund të gjejnë shpëtim as tek bankat e nivelit të dytë, të cilat, sipas tyre, të trembur nga zhvillimet ekonomike botërore, janë gjithnjë e më të kursyer në dhënien e kredive. Sipas të dhënave që japin vetë ata, nga 2500 shoqëri në të gjithë vendin, 700 prej tyre nuk kanë bërë asnjë lek xhiro gjatë vitit të kaluar. Një tjetër problem i parashtruar janë edhe burokracitë e hasura gjatë marrjes së licencave. Në këtë mënyrë, ata kanë kërkuar rishikimin e këtyre procedurave, pasi janë një pengesë e madhe për këtë treg. Për momentin, në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin e tyre 2500 shoqëri ndërtimi, nga të cilat vetëm 850 janë të licencuara dhe, për këtë, ato fajësojnë procedurat e reja të miratuara nga qeveria.
TIRANË - Shoqata e Ndërtuesve ka reaguar edhe për fiksimin e çmimeve, për efekt të llogaritjes së detyrimeve fiskale nga ana e qeverisë. "Për një vend që synon të instalojë ekonominë e tregut të lirë, ideja për fiksimin e centralizuar të çmimeve dhe, mbi këtë bazë për përcaktimin e detyrimeve tatimore e kontrollin e këtyre detyrimeve, që në koncept është plotësisht e gabuar dhe pakuptim", - theksuan ata. Njësoj si bizneset e tjerë, edhe ndërtuesit kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me pagat e referencave. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu edhe mënyrën e llogaritjes së detyrimeve tatimore nga organet përkatëse. Sipas tyre, administrata tatimore i vjel tatimet, duke u bazuar mbi një listë të fiksuar çmimesh, duke mos marrë parasysh se treguesit e çmimeve pësojnë lëvizje të vazhdueshme.
1.2 miliardë euro është kontributi vjetor që zë sektori i ndërtimit në ekonominë shqiptare
2500 shoqëri ndërtimi ushtrojnë aktivitet ekonomik në të gjithë vendin
850 shoqëri ndërtimi kanë arritur të licencohen pas miratimit të kritereve të reja nga qeveria
700 shoqëri ndërtimi kanë bërë 0 lek xhiro gjatë vitit 2008, si pasojë e problematikës së krijuar
4 mijë apartamente kanë mbetur pa shitur, sipas Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë