Bilanci tregtar thellohet në 360 milionë dollarë
Ekspertët: Rritja e importeve tregon për një fuqi blerëse të fortë. Tregues se nuk jemi në krizë
Eksportet shqiptare drejt tregjeve të huaja kanë pësuar një rënie të ndjeshme në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave, raportojnë për një vlerë prej rreth 70 milionë dollarësh eksporte, nga rreth 100 milionë që u shënuan gjatë nëntorit të 2008-ës, ose 23.4% më pak se gjatë nëntorit.
Por, sipas statistikave, dhjetori i 2008-ës ka shënuar një rritje të lehtë prej 4,5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2007. Produkte si, materialet e ndërtimit, energjia, mineralet dhe metalet, e kanë ndjerë më shumë rënien e kërkesës botërore, të cilat sipas grupeve kanë pësuar një rënie nga 36-40% krahasuar me një muaj më parë.
Importet kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë dhjetorit, duke ndikuar në përkeqësimin e bilancit tregtar të vendit. Gjatë këtij muaji kemi importuar rreth 440 milionë dollarë mallra dhe shërbime, ose rreth 11% më shumë se në muajin nëntor.
Gjithashtu, krahasuar me dhjetorin e vitit 2007, rritja në importe arrin në 24.5%. Por, ekspertët e INSTA-it thonë se kjo rritje e madhe e importeve tregon se kërkesa agregate është e larë, pra nuk ka rënie të fuqisë blerëse, e cila ka qenë një nga pasojat më kryesore të krizës botërore.
Pra, sipas tyre, deri në muajin dhjetor, vendi ynë, sipas shkëmbimeve tregtare, nuk ka qenë i përfshirë nga ky fenomen. Deficiti tregtar arriti në rreth 362 milionë dollarë, ose 29% më shumë se dhjetori i vitit 2007.
Gjatë këtij muaji kemi importuar më shumë lëndë djegëse, energji elektrike, ushqime, ndërsa vërehet një rënie në materialet e ndërtimit. Importi i mallrave të akcizës ka arritur në rreth 45 milionë dollarë, ose afro 10% të totalit të vlerës së mallrave të importuar. Krahasuar me nëntorin e 2008-ës, importi i mallrave me akcizë ka patur rritje prej 15.2 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës, me rreth 57 për qind.
Tregtia me vendet e Bashkimit Europian zuri 63 për qind të totalit të shkëmbimeve tregtare. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë, eksporti është 70.1 për qind dhe importi 27.5 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 7.2 për qind dhe importi 11.2 për qind.