E Diel, 1 Nëntor 2026

Licencat, miratim në heshtje brenda katër ditëve

Ligji i ri i kategorizon lejet dhe licencat në tre grupe, në varësi të llojit të aktivitetit tregtar që ushtrojnë aplikuesit


TIRANË - Nga muaji maj, të gjithë subjektet e interesuar për licencimin e aktivitetit të tyre, nuk do të enden më nëpër institucionet përgjegjëse, por do t'i kryejnë procedurat në një sportel të vetëm. Një projektligj i miratuar dje në Komisionin e Ekonomisë, parashikon krijimin e një qendre kombëtare të licencave, e cila do të jetë autoriteti për dhënien e tyre. Funksionimi i këtij institucioni, i cili në strukturë dhe funksionim do të jetë pothuajse i njëjtë më Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, parashikohet të ndikojë në shkurtimin e kohës dhe të shpenzimeve të personave, të cilët janë të interesuar për marrjen e një licence. Qendra në fjalë do të miratojë, ose refuzojë, kërkesat për licencimin e një aktiviteti në një periudhë kohore, maksimumi jo më të gjatë se 4 ditë nga data e aplikimit.

Njësoj si edhe Qendra Kombëtare e Regjistrimeve, në qoftë se brenda 4 ditëve, QKL-ja nuk do të refuzojë dhënien e licencës për ushtrimin e një aktiviteti, atëherë, duke u bazuar mbi parimin e miratimit të heshtur, kjo e fundit konsiderohet e miratuar. Në funksion të ngritjes së një rrjeti të dhënash, do të ngrihet edhe Regjistri Kombëtar i Licencave, i cili, gjithashtu do të administrohet nga QKL-ja dhe do të përdoret nga kjo e fundit për të bërë publik miratimin apo refuzimin e kërkesave. Sipas projektligjit të miratuar, licencat ndahen në tri grupe, në varësi të aktivitetit që ushtrojnë dhe të mënyrës së plotësimit të dokumenteve. Përcaktimin i grupit për secilin aktivitet, bëhet nga Këshilli i Ministrave.

Në grupin e parë të licencave hyjnë ato, të cilat QKL-ja i lëshon vetëm duke u mjaftuar me dokumentet e vetëdeklaruara nga personi i interesuar. Me marrjen e kësaj kërkese, kjo qendër është e detyruar që të bëjë shqyrtimin e dokumenteve brenda dy ditëve, nga momenti i dorëzimit të kërkesës. Në rast se brenda këtij afati, individi i interesuar nuk merr një lajmërim për refuzimin e kërkesës së tij, atëherë licenca konsiderohet automatikisht e miratuar dhe brenda afatit dy ditor publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave.

Licencat e grupit të dytë merren nëpërmjet vetëdeklarimit dhe dokumenteve, të cilat vërtetojnë këtë vetëdeklarim. Ndryshe është procedura për licencat e grupit të tretë, e cila krahas përmbushjes së kritereve nëpërmjet vetëdeklarimit, bazohet edhe në kryerjen e një procesi inspektimi apo kualifikimi nga institucionet përgjegjëse. Kjo praktikë do të ndiqet për ato aktivitete, ku kërkesat e kalojnë numrin e licencave të parashikuara për t'u lëshuar.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›