BE-ja mbështet një gazsjellës nëpër Shqipëri
TIRANË - E përballur me një pasiguri furnizimi me lëndë djegëse nga Rusia, Bashkimi Evropian ka përshpejtuar hapat për kërkimin e rrugëve të reja të sigurimit të tyre. Një nga këto është edhe projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili do të transportojë gaz nëpërmjet një rruge të sigurt nga vendet që lagen nga Deti Kaspik dhe ato të Lindjes së Mesme, nëpërmjet Shqipërisë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Pikënisja e projektit do të jetë Selaniku, ku do të lidhet me gazsjellësin tjetër që vjen nga Turqia. Më pas, duke kaluar nëpërmjet territorit shqiptar nëpërmjet detit, do të përfundojë në brigjet italiane të Puglias. Pjesë e projektit është edhe zgjatja e kësaj linje deri në thellësi të Europës, duke e bërë atë pjesë të projektit energjetik trans-europian. Projekti parashikohet të nisë nga puna në gjysmën e dytë të këtij viti dhe nga tërë gjatësia e tij prej 520 kilometrash, rreth 200 kilometra do të kalojnë nëpër Shqipëri, duke e kthyer vendin tonë në pikë kyçe të tij. Gazsjellësi ka një kapacitet fillestar 10 miliardë metër kub, me synimin për ta dyfishuar atë brenda viteve të shfrytëzimit. Kompanitë që kanë marrë përsipër realizimin e tij parashikojnë që të shpenzojnë 1.5 miliardë euro vetëm për ndërtimin e tubacionit, ndërsa kostoja përfundimtare do të varet nga çmimet në kohën e aplikimit në terren. Bashkë me shtrirjen e tubacionit parashikohet edhe ndërtimi i një depozitë gazi në bregdetin Shqiptar. Përfaqësuesit e kompanive që kanë marrë përsipër realizimin e këtij gazsjellësi, EGL-ja nga Zvicra dhe Statoil Hydro, nga Norvegjia, që janë pjesë përbërëse e bordit drejtues, zhvilluan një takim me Kryeministrin Sali Berisha, me qëllim prezantimin e arritjeve dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm. Përfaqësuesit e kompanisë Statoil Hydro u shprehën se iu shtuan këtij projekti të madh një vit më parë, sepse e panë atë si një projekt ekonomik dhe të mundshëm. Shqipëria, gjithashtu, me performancën e saj ekonomike, u bë një arsye tjetër serioze që e nxiti këtë kompani t'i bashkohej këtij projekti. Kryeministri Berisha tha se ky projekt e fut Shqipërinë në hartën e gazit dhe është projekti i dytë pas atij italian të kompanisë Falcone. Kryeministri falënderoi bordin drejtues të këtij projekti madhor për besimin që kanë tek vendi i tij për ndërmarrjen e kësaj iniciative të madhe dhe i garantoi mbështetjen e mëtejshme të tij dhe të qeverisë. "Projekte të tilla janë me rëndësi të madhe strategjike, politike dhe ekonomike", - u shpreh Kryeministri. Sipas të dhënave, vendimmarrja përfundimtare për fillimin e ndërtimit pritet të merret në gjysmën e dytë të këtij viti. Projekti do të përfundoje së ndërtuari dhe do të hyjë në funksionim në vitin 2012, por pavarësisht planit, realizimi i tij mund të përshpejtohet në varësi të rritjes së kërkesës për gaz në Europë. Ajo që e bën më të mundshëm realizimin e projektit është edhe mbështetja nga vendet e Bashkimit Europian, të cilat pas zhvillimeve më të fundit midis Rusisë dhe Ukrainës, janë të angazhuara për shmangien e varësisë totale nga gazi siberian. Deri tani ka përfunduar projekti i tij, ndërsa studimi i fizibilitetit është bërë që në mars 2006, nga vetë kompania EGL. Bashkë me hapjen e një linje të re të tregut të gazit natyral nga zonat e Kaspikut dhe të Lindje së Mesme drejt Europës, ky gazsjellës pritet të përfshijë edhe vendin tonë në rrjetin ndërkombëtar të gazit.