E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitat, financat OK sigurimit

 

Fabiola Çela

Ministria e Financave është shprehur pro propozimit të Bankës së Shqipërisë për rritjen e kufirit të sigurimit të depozitave. Burime pranë kësaj ministrie janë shprehur se e përkrahin propozimin e Bankës së Shqipërisë, madje janë gati ta miratojnë atë. Por ende nuk është sqaruar në detaje se si do të realizohet kjo, pra garantimi do të kryhet 100 për qind nga bankat apo edhe vetë qeveria do të ndihmojë për këtë.
Depozitat
Depozitat deri në 2.5 milionë lekë do të garantohen 100 për qind. Kjo do të thotë se në rast se një bankë falimenton, klientët të cilët kanë depozituar deri në 2.5 milionë lekë do të kompensohen 100 për qind. Ky është propozimi i Bankës së Shqipërisë, i cili së shpejti pritet të shkojë për miratim në qeveri. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në sistemin bankar do të garantohen deri në 2.5 milionë lekë ose kundërvleftën në të gjitha valutat. Në ligjin aktual të sigurimit të depozitave është e parashikuar që për depozitat në vlerë deri në 350 mijë lekë garantimi i tyre është 100 për qind. Ndërsa për depozitat deri në 700 mijë lekë shuma e kompensimit në rast falimentimi të bankës është 80 për qind. Në fakt, kjo kërkesë e Bankës së Shqipërisë vjen pas vendimit të marrë nga shumë banka evropiane, të cilat si pasojë e krizës rritën kufirin e sigurimit të depozitave të klientëve. Gjatë vitit të kaluar shumë klientë të frikësuar nga kriza botërore u drejtuan drejt bankave për të tërhequr paratë e tyre. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë deklaratës së politikës monetare për 6-mujorin e dytë të 2008-ës. Megjithatë, sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, këto tërheqje parash nuk ishin në shuma të konsiderueshme. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë u miratua dhe një rregullore e re për kreditë. Sipas bankës, rregullorja e re do t’i sigurojë kredimarrësit një informacion më të kualifikuar, nëpërmjet një procesi të krahasimit të ofertave që ofrojnë banka të ndryshme për të njëjtin produkt. Rregullorja vendos rregulla dhe kërkesa specifike në lidhje me informacionin që i jepet klientit për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët. Pas hyrjes në fuqi të rregullores, klienti ka të drejtë që të njihet me normën efektive të interesit që aplikon banka e tij si dhe me të drejtat që i takojnë atij në këtë proces kredimarrjeje. Sipas bankës, kërkesat e rregullores detyrojnë sistemin bankar të sigurojnë informimin e plotë të klientit para lëvrimit të kredisë, të të gjitha kostove që shoqërojnë klientin gjatë kohëzgjatjes së kredisë dhe të penaliteteve, në rast të mosrespektimit të kontratës, duke siguruar transparencë në tregun e transaksioneve që mbulon kjo rregullore. Rregullorja përcakton detyrimin për bankat në dhënien e informacionit parakontraktor dhe kontraktor.

Leku zhvlerësohet ndjeshëm ndaj valutave

Monedha vendase ka vazhduar të zhvlerësohet ndaj monedhave të huaja. Në agjencitë e këmbimit valutor një dollar u ble me 100.8 lekë dhe u shit me 101.3 lekë, ndërsa një euro u ble me 128.7 lekë dhe u shit me 129.2 lekë. Monedha evropiane po i afrohet kështu nivelit maksimal të 130 lekëve, ndërsa dollari ka kaluar tashmë rekordin e 100 lekëve. Zhvlerësimi i monedhës vendase vijon tashmë prej disa javësh. Sipas ekspertëve të ekonomisë shkak për këtë është mungesa e valutës në treg, për shkak të rënies së dërgesave nga emigrantët si pasojë e krizës globale. Një tjetër faktor që ka ndikuar në zhvlerësimin e lekut është edhe vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur me 0.5 për qind normën bazë të interesit për lekun. Por pavarësisht zhvlerësimit të monedhës vendase, zyrtarë të qeverisë nuk e kanë parë këtë si një problem për ekonominë e vendit. Kjo pasi, sipas tyre, ky zhvlerësim i lekut është një dukuri e përkohshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›