E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet, niveli i Fierzës drejt pikut, dje arriti në 290 metra

 

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës është drejt pikës maksimale të tij. Sipas të dhënave më të fundit nga Korporata, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 290.41 metra, ndërkohë që prurjet e ujit janë 205 metër kub në sekondë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy hidrocentralet e tjerë të Komanit dhe Vaut të Dejës. Në një situatë të tillë KESH ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë. Gati e gjithë kërkesa për energji po plotësohet nga prodhimi vendas. Gjatë ditëve të fundit si pasojë e uljes së temperaturave është rritur konsumi i energjisë, por pavarësisht kësaj KESH po plotëson pjesën më të madhe të kërkesës për energji nga prodhimi vendas. Sipas të dhënave zyrtare nga Korporata, konsumi i energjisë ka arritur në 22.2 milionë kilovat/orë, nga kjo gati 20.3 milionë kilovat/orë është prodhim vendas. Por pavarësisht rritjes së prodhimit vendas, përsëri KESH ka mundësi të eksportojë energji dhe kjo si pasojë e situatës së mirë hidrike. Konkretisht, sipas burimeve zyrtare, KESH eksporton çdo ditë drejt Greqisë 1.6 milionë kilovat/orë në ditë. Në fakt eksporti me Greqinë ka nisur që më datë 22 janar dhe ishte parashikuar që të përfundonte më 28 janar. Por duke qenë se situata hidrike në kaskadën e Drinit është goxha e mirë, KESH ka vendosur që të shtyjë eksportin e energjisë me Greqinë. Eksporti me shtetin helen është parashikuar që të vazhdojë deri në fund të muajit shkurt. Ndërkohë sipas drejtuesve të KESH-it, përveç kontratës me Greqinë, Korporata po shikon edhe mundësinë e eksportit edhe me vende të tjera, dhe kjo si pasojë e situatës së mirë hidrike.

Fierza

    290.41 metra niveli i ujit në HEC-in e Fierzës
    205 m3/sek prurjet e ujit në kaskadë
    171.66 metra prurjet e ujit në HEC-in e Komanit
    100 m3/sek prurjet anësore të ujit
    74.06 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës
    22.2 milionë kilovat/orë konsumi ditor i energjisë
    20.3 milionë kilovat/orë prodhimi vendas i energjisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›