E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: “Ari Han, 100 për qind i sigurt”

“Barazimi me Maltën nuk e ka rrezikuar aspak pozitën e tij në krye të Kombëtares”

Dash Frashëri

Bosi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, konfirmoi për mediat kosovare se nuk ka ndërmend t’i kërkojë dorëheqjen apo të shkarkojë trajnerin aktual të Kombëtares së Shqipërisë A, holandezin Ari Han, pas barazimit dëshpërues me Maltën (0-0) në transfertë.
Presidenti i FSHF-së ishte në Prishtinë me rastin e miqësores midis kampiones së Kosovës “Prishtina” dhe asaj të Shqipërisë, Dinamo, të përfunduar 1-1. I pyetur nga mediat kosovare, ai konfirmoi vazhdimin e Hanit edhe për pesë ndeshjet e tjera të Kombëtares kuqezi, që përkon edhe me përfundimin zyrtar të kontratës së trajnerit të katërt të huaj gjatë epokës së tij presidenciale.
“Ai është 100 për qind i sigurt në rolin e trajnerit dhe barazimi me Maltën nuk e ka rrezikuar aspak pozitën e tij në krye të Kombëtares”, - tha Duka, i cili, mesa duket, e sheh pozitiv bilancin e deritanishëm të Shqipërisë nën drejtimin e Ari Hanit, kur Kombëtarja ka grumbulluar gjashtë pikë në pesë ndeshje.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han (60 vjeç), pritet të ndërmarrë një tur vëzhgues të lojtarëve që luajnë në Ukrainë, por që njihen pak prej tij. Gjatë konferencës së tij për shtyp në selinë e FSHF-së, me rastin e prezantimit të listës anti-Maltë, Albania-sport.com e pyeti holandezin për mosthirrjen e lojtarit të Krybvas Krirog, Dorian Bylykbashit (28 vjeç, 56 ndeshje, 10 gola me Krybvas), si dhe të sulmuesit të Zorja Lugansk, Parid Xhihani (25 vjeç, 15 ndeshje, 7 gola), por Ari Han u përgjigj se atij askush nuk ia kishte përmendur emrin e Xhihanit, ndërsa për Bylykbashin tha se ruante një përshtypje të vakët.
Presidenti Duka iu përgjigj edhe interesimit të medias kosovare se kur e parashihte ai anëtarësimin e Kosovës në FIFA e UEFA. “Nuk jam unë ai që mund të vendos data, por sigurisht kam bindjen se kjo do të arrihet kur Kosova do të jetë anëtare e OKB-së. Gjithsesi ekzistojnë edhe disa mundësi të tjera, pasi në statutin e FIFA-s nuk është e shkruar se një shtet duhet të jetë i pranuar në OKB, por të jetë i pranuar ndërkombëtarisht. Gjithsesi kjo varet edhe nga ecuria e njohjeve të Kosovës”, - tha Duka.

Prishtina-Dinamo, fair-play e festë

Prishtina-Dinamo, 1-1. Një ndeshje midis dy kampionëve, të Kosovës e Shqipërisë, por tërësisht me një sfond kombëtar kuqezi, duke sfiduar kohën tejet të ftohtë në Stadiumin e Prishtinës. Miqësorja ishte një homazh për njëvjetorin e Pavarësisë së shtetit më të ri në Europë, Kosovës. Takimi nisi e përfundoi me duartrokitje të publikut e përqafime midis lojtarëve, të cilët dëshmuan në praninë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, por edhe të dy presidentëve të federatave respektive të futbollit, Fadil Vokrit të FFK-së dhe Armand Dukës së FSHF-së, jo vetëm “Fair-Play”, por edhe se janë dy skuadra të një kombi ende edhe për pak kohë të ndarë. Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, shënoi e para me anë të sulmuesit argjentinas Ruben Oscar Çeko në minutën e 63-të, i cili mposhti portierin e Prishtinës, Feim Statovci, nga një distancë shumë e afërt. Goli i parë i një argjentinasi në një stadium të Kosovës. Kampionia e Kosovës, Prishtina, e drejtuar nga Afrim Tovërlani, barazoi me anë të zëvendësuesit Tahir Ademi në minutën e 80-të, me një goditje brenda zonës së vogël së Dinamos. Ademi zëvendësoi pikërisht Berat Hysenin, një ish-lojtar i Tiranës gjatë sezonit 2007-2008.

PRISHTINA-DINAMO 1-1
Golat: Ademi 80’/ Çeko 63’

E martë, 17 Shkurt 2009
Stadiumi i Prishtinës, shikues 15 mijë.

PRISHTINA: Statovci, Idrizi, Shabani, Krasniqi, Kozhani, Hoxha, Ahmeti, Baliqi, Hyseni, Skeraj dhe Fetahu. U inkuadruan në pjesën e dytë edhe: Blakqori, Haliti, Humolli, Ademi, Mazrekaj dhe V. Krasniqi. Trajner Afrim Tovërlani
DINAMO: Kotori, Sina, Daja, Pisha, Bodrusiq, Poçi, Nezaj, Bakaj, Graniç, Romero dhe Cheko (u inkuadruan: Hoxha, Hasa, Delia, Hasi dhe Memushi). Trajner Shkëlqim Muça
GJYQTARË: Hasani, Fejzullahu e Krasniqi.

DEKLARATAT E TRAJNERËVE

Afrim Tovërlani (Prishtina): “Ishte një lojë përgjithësisht e mirë. U dëshmua se Dinamo është më e përgatitur, për faktin se ajo tashmë ka zhvilluar disa ndeshje në kampionat, kurse ne ende jemi në vlugun e përgatitjeve fizike. Dinamo u pa që është skuadër e mirë dhe cilësore. Megjithatë, nuk mund të them se janë në ndonjë nivel shumë më të lartë se ne”.

Shkëlqim Muça (Dinamo): “Pikësëpari ishte kënaqësi për ne si skuadër që morëm pjesë në këtë aktivitet festiv. Po ashtu, mendoj se kjo miqësore u shërbeu të dyja skuadrave. Kushtet jo aq të mira për lojë ndikuan paksa në ritmin e lojës, por mendoj se rezultati i barabartë ishte mëse real”.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›