Teliti: Shumë shpejt do nisë shpërndarja e kartave të identitetit
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti tha dje se shumë shpejt do të nisë shpërndarja e letërnjoftimeve për qytetarët. Sipas tij: “Shumë shpejt do të fillojë edhe procesi i shpërndarjes së letërnjoftimeve, që për hir të së vërtetës është një proces shumë më i thjeshtë dhe më i shpejtë se procesi i aplikimit. E rëndësishme është që qytetarët, veçanërisht ata pa pasaportë, të paraqiten për të aplikuar në zyrat e aplikimit duke ndihmuar kështu në realizimin e qëllimit madhor të pajisjes së tyre me letërnjoftime”. Sipas kreut të Gjendjes Civile procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime po ecën sipas parashikimeve dhe në zbatim të një kalendari të qartë, që në përfundim të tij do të bëjë të mundur, pajisjen e të gjithë qytetarëve që nuk disponojnë pasaporta, me dokumentet e nevojshëm për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. “Çdo ditë shtohen pikat e aplikimit, çdo ditë qytete të reja futen në skemën e aplikimit. Sot ka filluar procesi i aplikimit në Bashkinë e Fierit dhe pritet të fillojë procesi në Vlorë, Berat, Sarandë e me radhë deri në mbulimin e plotë të gjithë popullsisë dhe territorit. Kemi një hartë që tregon shtrirjen e procesit të aplikimit deri në fund të muajit shkurt, që tregon se ky proces deri në këtë periudhë do të fillojë në të gjithë qarqet e vendit”, theksoi më tej Teliti. Në të njëjtën kohë, ai i kërkoi opozitës që të ndalë spekulimin me këtë proces.