E Diel, 1 Nëntor 2026

Depozitat gjatë muajve qershor-korrik shënojnë rritje



Depozitat gjatë muajit qershor shënuan një rritje vjetore të konsiderueshme prej 18.8 për qind. Kontributin kryesor në rritjen e depozitave në total e kanë dhënë depozitat në valutë, të cilat janë rritur me 4 për qind në terma mujorë. Në fund të muajit qershor, oferta monetare ka shënuar një pikë kthimi duke u rritur me 14 për qind në terma vjetorë. Krijimi i mjeteve monetare në këtë muaj ka pasqyruar kanalizimin më të shpejtë të kredisë për ekonominë dhe të prurjeve valutore në formën e depozitave. Teprica e kredisë në muajin qershor është rritur me 45 për qind në terma vjetorë, krahasuar me 43 për qind; mesataren e muajve të fillimvitit. Në raport me M3, kredia për ekonominë vijoi prirjen rritëse duke arritur në 45 për qind të saj. Kontributin kryesor në këtë zgjerim e ka dhënë rritja e ndjeshme e financimit të bizneseve në valutë. Përshpejtimi i ritmeve të kredisë nga muaji qershor e në vazhdim është i lidhur me prezantimin e shumë produkteve promocionale për thithjen e depozitave si edhe nga huat e marra prej bankave mëma. Tregu i parasë vazhdon të shfaqë karakteristikat e muajit të kaluar. Vazhdon të injektohet likuiditet, i cili më vonë në një pjesë të konsiderueshme, investohet në formën e depozitës njëditore.

Raporti i BSH-së: “Në 6 muajt e parë, 19 për qind më shumë turistë”

Banka e Shqipërisë vëren se të ardhurat nga turizmi po rriten ndjeshëm, kur në këtë periudhë numërohen 19 për qind turistë më shumë. Sipas BSH-së, 45 për qind e njerëzve që kanë hyrë në kufirin shqiptar, kanë qenë turistë, ndërsa 51 për qind kanë qenë emigrantë shqiptarë. Nga ana tjetër është vërejtur edhe rritja e udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit. Vlerësohet se nga Shqipëria janë larguar 494 milionë euro, me një rritje vjetore prej rreth 28 për qind. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së numrit të udhëtarëve me 36 për qind. Një tjetër faktor që vazhdon të ndikojë në rritjen e importit të shërbimeve të udhëtimit, është shpenzimi ditor i udhëtarëve, rrjedhim i nivelit të lartë të çmimeve që karakterizon vendet e Eurozonës, destinacionet kryesore të udhëtarëve rezidentë. Ekonomia shqiptare vazhdon të përfitojë të ardhura në valutë prej punës së punonjësve sezonalë dhe investimeve të rezervave valutore të sistemit bankar në institucionet financiare jorezidente dhe njëkohësisht, të paguajë interesat për borxhin e jashtëm. Rezultati neto i transaksioneve në të ardhura mbetet pozitiv edhe gjatë këtij 6-mujori dhe vlerësohet në rreth 129 milionë euro me një rritje vjetore prej 33 për qind. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga investimet në formën e investimeve të portofolit dhe prej investimit të rezervës tonë valutore në institucione jorezidente. Vëllimi i përgjithshëm tregtar këtë gjashtëmujor arriti afërsisht vlerën e 2 miliardë eurove, duke u vlerësuar 18 për qind më i lartë se niveli i së njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›