E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat për deputetë, “dhimbje koke” për kreret e partive

Kërkesat e aleatëve dhe lufta e brendshme, çështjet që duhet të zgjidhen nga liderët e tre koalicioneve. Çfarë ndodh në kampet e tri partive kryesore një vit para zgjedhjeve

Hartimi i listave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009 duket se do të përbëjnë “dhimbje koke” për tre liderët e politikës shqiptare, Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta. Edhe pse në pamje të parë listat e mbyllura që do të aplikohen në zgjedhjet e ardhshme kritikohen se forcojnë rolin e kryetarëve të partive, në të vërtetë në zgjedhjet e ardhshme për liderët e PD-së, PS-së dhe LSI-së duhet të përballen me dilema të mëdha dhe me zgjedhje të vështira. Përveç konkurrencës së brendshme në partitë që drejtojnë, Berisha, Rama dhe Meta duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, për të kënaqur edhe kërkesat e partive aleate, që pritet t’u bashkohen koalicioneve që do të drejtohen prej tyre. Madje parti të vogla si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, si PDS apo PDK, janë ofruar vetë në këtë pazar politik, ku sigurisht vendimi i tyre për t’u përfshirë në koalicione do të varet edhe nga përqindja e emrave për deputetë që do t’u ofrohen nga tri partitë kryesore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Nga ana tjetër, çdo ditë e më shumë po shpërthejnë konfliktet e brendshme në partitë në fjalë, pasi kërkesat për t’u përfshirë në listat për deputetë janë më të mëdha se hapësirat që mund të rezervohen.
PD
Kryeministri Berisha, i cili ka deklaruar se do të ketë rreth vetes të gjitha partitë e djathta në koalicionin që do të konkurrojë për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009, duket se do të përballet me llogari të vështira. Në koalicionin e drejtuar prej tij dhe Partisë Demokratike pritet të rreshtohen edhe 4 parti të tjera të së djathtës. Çka do të thotë përfshirje më pak në listat për deputetë të figurave kryesore të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Përveç kësaj, Berisha duhet të përballet edhe me preferencat konkrete të anëtarëve kryesorë të partisë së tij, për zonat ku ata do të kandidojnë dhe për renditjen e tyre në listat e koalicionit të djathtë.
PS
Situatë problematike pritet të krijohet edhe brenda Partisë Socialiste përsa u përket emrave që do të përfshihen në listën e saj të kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2009. Përveç deputetëve aktualë të PS-së, të cilët synojnë rimarrjen e mandatit, në listat e PS-së do të kërkojnë të përfshihen edhe shumë figura të reja, të cilat janë zgjedhur në organet drejtues, që pas ardhjes së Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste. Çka do të thotë se kreu i PS-së duhet t’i bëjë mirë llogaritë, për të kënaqur si deputetë aktualë, ashtu edhe potencialet e reja të angazhuara në PS-së gjatë këtyre 3 viteve të fundit. Rama gjithashtu duhet të kënaqë edhe kërkesat e Partisë Social-Demokrate, e cila ka deklaruar gatishmërinë për t’u rreshtuar në koalicionin e saj.
LSI
Listat e mbyllura sigurisht që do të përbëjnë problem edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo e fundit, e cila do të udhëheqë koalicionin “E majta për Integrim”, përveç vendeve që duhet të rezervojë për aleatët që do t’i bashkëngjiten koalicionit të drejtuar prej saj, duhet të zgjidhë edhe kërkesat dhe ambiciet e shumë prej figurave të LSI-së që aspirojnë të kandidojnë dhe të fitojnë mandatin e deputetit për zgjedhjet e ardhshme. Edhe në këtë koalicion, dy duket se do të jenë problemet kryesore: përfshirja në listë dhe renditja e emrave.

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›