E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Shqipëria dhe Kosova, partnere të SHBA-ve, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka ndjekur punimet e Konventës demokrate në Denver, në një intervistë të dhënë për një prej televizioneve shqiptare ka deklaruar se politikat e SHBA-ve ndaj Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ndryshojnë, pavarësisht se zgjedhjet presidenciale do të fitohen nga kandidati demokrat Obama, apo kandidati republikan Mcain. “Besoj që në pikëpamje të marrëdhënieve të SHBA-ve, Shqipërisë dhe Kosovës, nuk ka asnjë ndryshim, ashtu siç ka qenë tërësisht pozitive dhe e angazhuar politika amerikane e gjithë këtyre viteve, në raport me çështjen e përparimit të demokratizimit, modernizimit të Shqipërisë dhe integrimit të saj në NATO, apo më të rëndësishmen, çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe të ndërtimit të një shteti të lirë, të pavarur dhe demokratik, ashtu do të jetë ajo në vazhdimësi, cilido qoftë fituesi. Në njërën anë kemi një dyshe demokrate, ku të mos harrojmë se kandidati për zv.president, Biden, është një nga kontribuuesit më të rëndësishëm në Senatin Amerikan për çështjen e Kosovës dhe njëri nga denoncuesit më të famshëm të Millosheviçit. Nga ana tjetër kemi Mcain dhe politikën e vazhdimësisë. Kështu që për Shqipërinë dhe për Kosovën është fare e qartë, që cilido qoftë fituesi, rruga e partneritetit, strategjisë dhe miqësisë me SHBA-të nuk është në kurrfarë pikëpyetje”, - ka deklaruar Rama.

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›