E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH-ja nuk e ndryshon përsëri normën e interesit të lekut



Në mbledhjen e tij të fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Inflacioni vjetor në vend në muajin korrik rezultoi 3.7 për qind, duke shënuar rënie për të katërtin muaj nga niveli më i lartë (4.6% në muajin mars) arritur gjatë 5 viteve të fundit. Në terma mujorë, inflacioni ra me 0.6 për qind në muajin korrik. Efekti stinor, shkaktuar nga hyrja e prodhimit të brendshëm bujqësor, krijoi kushte për zbutjen e presioneve inflacioniste mbi nivelin e përgjithshëm të çmimeve në këtë periudhë të vitit. Të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore të realizuara deri në fund të muajit qershor 2008, rezultojnë përkatësisht në nivelin: 103 dhe 92 për qind të planit 6-mujor. Kontributin kryesor, në tejkalimin e vlerës së planifikuar për të ardhurat gjatë kësaj periudhe e kanë dhënë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, si edhe të ardhurat nga TVSH-ja. Shpenzimet kapitale, ndryshe nga vitet e mëparshme kanë regjistruar ritme të larta realizimi, ndërkohë që, deficiti buxhetor i krijuar në fund të 6-mujorit përfaqëson vetëm 13 për qind të vlerës së planifikuar për këtë periudhë.

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›