Depozitat në banka, gjysmat i kanë 4% të klientëve
Më shumë se 55 për qind të depozitave në sektorin bankar shqiptar zotërohen nga 4 për qind e klientelës. Shifra që zbulon qartë thellimin e hendekut ndërmjet të pasurve dhe varfërve në vendin tonë është dhenë në një raport të Agjencisë së Sigurimit të depozitave, i cili u diskutua dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Sipas agjencisë, janë mbi 1 milionë e 465 mijë shqiptarë që kanë një llogari kursimi në banka dhe ato janë të siguruara në masën 96 për qind. Gjatë vitit 2010 janë me 18,2% depozitat e klientëve të sistemit bankar shqiptar në vitin 2010 krahasuar me vitin paraardhës. Ndërsa, janë mbi 96% e klientëve shqiptarë të cilët i kanë depozitat e tyre të siguruara. Këtë fakt e ka bërë të ditur dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Silvana Seijko, gjatë raportimit të institucionit që drejton, për vitin 2010. Sipas raportit në fjalë, depozitat e individëve, që janë subjekt i skemës së sigurimit të depozitave, zënë një peshë prej 81% kundrejt totalit të depozitave në tërë sistemin bankar, kurse depozitat e siguruara përfaqësojnë 69% të depozitave të individëve. Duke iu referuar të njëjtit raport, pjesën më të madhe te depozitave të individëve e zënë depozitat në lekë dhe 46% e tyre janë depozita në valutë. Sipas raportit më 2010, depozitat e siguruara u rritën me 14,8%. Për të njëjtën periudhë, raporti citon se depozitat e siguruara në valutë u rritën me 7%, ndërsa ato në lekë patën një rënie me 5%. Deputetët e mazhorancës gjatë diskutimit të raportit u interesuan se çfarë masash janë marrë për rrezikun moral të sigurimit të depozitave. Sipas drejtoreshës Seijko, parimi i minimizimit të riskut të depozitave është pjesë e skemës së përcaktuar të sigurimit. Gjithashtu, ajo sqaroi se dy parimet e mirëfunksionimit të kësaj agjencie janë kufizimi i mbulimit dhe kufizimi i qëllimit të shumës së depozitës së siguruar. Ajo sqaroi se kjo agjenci siguron depozita me kategori individë dhe shumë deri në 2mln e 500 mijë lekë. “Minimizimi i riskut moral lidhet me procedurat për llogaritjen e primit, mbajtjen e të dhënave, për çdo lloj depozite etj. Pjesa tjetër, ajo financiare, llogaritet nga Banka e Shqipërisë”- tha Sejko. Gjithashtu, ajo bëri edhe një përmbledhje të synimeve të Agjencisë që drejton, për vitin 2011. Agjencia për Sigurimin e depozitave në funksion të realizimit të objektivit të saj për mbrojtjen e depozituesve të vegjël, gjatë vitit 2011 do të fokusojë planin e saj të zhvillimit në rishikimin e kuadrit ligjor dhe mjeteve praktike të agjencisë, për të mundësuar procesin e vlerësimit dhe forcimit të sistemit të sigurimit të depozitave. Gjithashtu, do të bashkëpunojë me institucione të specializuara për asistencë teknike, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës për kryerjen e procesit të kompensimit, edukimin dhe informimin e grupeve të interesit për çështje të sigurimit të depozitave. Në këtë mënyrë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, duke ndryshuar shumën e sigurimit dhe duke patur një fokus të qartë për shumën dhe qëllimin e sigurimit të kësaj shume të depozituar e merr përsipër riskun moral.