Lesi: Turizmit shqiptar i mungon promocioni i duhur
Pavarësisht se turistët e huaj dhe shqiptarë sipas statistikave shënojnë çdo vit numër më të lartë të vizitës së tyre në Shqipëri, promocioni i turizmit vendës nuk është në nivelin e duhur. Nikoll Lesi, zv. ministër i Turizmitm ka deklaruar se megjithëse turizmi po perceptohet tashmë si një industri në zhvillimin ekonomik të vendit, promocioni brenda dhe jashtë tij nuk është bërë në masën që të kemi efektet e pritshme.
Këtë deklaratë Lesi e ka bërë gjatë promovimit të numrit të parë të revistës ‘Travel” në mjediset e Ministrisë së Turizmit, revista publikon destinacione të ndryshme turistike shqiptare e gjithashtu edhe informacione rreth turizmit. Lesi u shpreh se mungesa që prej tre muajsh e titullarit të ministrisë së Turizmit ka ndikuar në uljen e ritmit të punës në këtë dikaster. Aktualisht, specialistë të Ministrisë së Turizmit po punojnë për hartimin e ligjit të ri të këtij sektori. Ai tha se brenda muajit Korrik do të miratohet një rregullore nëpërmjet së cilës do të penalizohen të gjithë ata që prishin apo ndotin mjedisin. Sipas statistikave të publikuara në “Travel”, vetëm për muajin prill, Shqipërinë e kanë vizituar 2600 vetë, që përkthehet ndryshe në 2,2 herë më shumë se të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sektori i turizmit ka hapur 140 mijë vende pune. Ndërsa qytetin antik të Apolonisë për vitin 2010 e kanë vizituar 35 mijë turistë. Kurse Parkun Kombëtar të Butrintit, për periudhën janar-prill 2011, e kanë vizituar 3450 turistë. Sektori i turizmit, sipas të njëjtave statistika, zë 14,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Revista ‘Travel” ka për qëllim të promovojë turizmin shqiptar dhe ta nxisë atë. Revista është sponsorizuar nga kompanitë më të rëndësishme që operojnë në vend, të cilat janë të interesuara për zhvillimin e industrisë së turizmit shqiptar.