Provimet e Lirimit, programet për Gjuhën dhe Matematikën
Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht programet orientuese për dy provimet e Lirimit, Gjuhë shqipe dhe Matematikë. Në këto programe detajohet se ku duhet të përqendrohen dhe çfarë duhet të mësojnë nga Gjuha shqipe dhe Matematika, nxënësit e klasave IX për t’u përgatitur për provime. Sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit, Provimet e Lirimit janë një standard i njësuar dhe i përgjithshëm provimesh në lëndët Gjuhë amtare dhe Matematikë, që vërtetojnë mbarimin e shkollës 9-vjeçare. Provimet e Lirimit do të jepen vetëm me shkrim në një ditë të caktuar, ndërsa nxënësi që nuk arrin t’i kalojë ato me sukses herën e parë, i rijep ato në sesionin e dytë. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, për përfundimin e vitit shkollor 2010-2011 dhe për zhvillimin e Provimeve të Lirimit në sistemin e arsimit parauniversitar, Provimet e Lirimit për klasën IX do të zhvillohen më: 17 qershor Gjuhë shqipe, 23 qershor Matematikë. Në sesionin e dytë të Provimeve të Lirimit, datat për nxënësit mbetës janë: 26 gusht Gjuhë Shqipe dhe Lexim Letrar, 29 gusht Matematikë.