Depozitat në lekë, bankat private ndjekin sistem kartel për interesat
Ervin KOÇI
Bankat e nivelit të dytë në vend, ndryshe nga përpjekjet e Bankës së Shqipërisë, po ndjekin një politikë aspak favorizuese për stimulimin e depozitave në lekë. Nisur nga uria për valutë, këto banka jo vetëm që nuk po stimulojnë depozitat në monedhën vendase, por po ndjekin edhe një politikë karteli në lidhje me normat e interesave për këto depozita. Kjo gjë është vërejtur jo vetëm nga institucioni i Bankës Qendrore, por edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, por deri tani nuk është marrë asnjë masë në lidhje me ndryshimin e këtyre skemave. Norma mesatare e interesave për depozitat e reja me afat në lekë gjatë pesë muajve të parë të vitit 2009 ishte mesatarisht 5.36 për qind, 16 pikë përqindjeje më poshtë nga tremujori i fundit i vitit 2008. Sipas BSH-së, tendenca në rënie e normave të interesit të depozitave në lekë pas muajit janar të vitit 2009 ka reflektuar pjesërisht përfundimin e ofertave të fillimvitit dhe uljen e normës bazë të interesit. Kjo prirje, thekson BSH-ja, duket se ka ndryshuar drejtim, duke u rritur në fillim të sezonit veror, në 5.45 për qind në muajin maj, por aktualisht ajo ka shkuar sërish në nivelet e fillim vitit. Interesat për depozitat me afat në euro, në përgjithësi, kanë ndjekur të njëjtën lëvizje si ato në monedhën vendase, duke u kushtëzuar nga gjendja e likuiditetit dhe rivlerësimi i rreziqeve në tregun e brendshëm, sesa nga orientimi i normave përkatëse të interesit në tregun ndërkombëtar. Sipas ekspertëve të sektorit bankar, bankat private pasi nuk panë fluksin e pritshëm që në fillim të sezonit të verës për shtimin e depozitave, e ulën dhe interesin për depozitat duke mos dhënë si më parë oferta joshëse. Kjo gjë ka ndodhur nga të paktën 10 banka private në vend, në një kohë që disa të tjera mbajnë akoma përqindje konkurruese porsa i përket interesave për depozitat në lekë.
Situata
Bankat ofronin interesa joshëse gjatë fillimit të verës përmes fushatave publicitare intensive, në pritje të një fluksi të lartë të emigrantëve që do të mbyllnin kursimet e tyre në Shqipëri. Por, këtë vit, fushata e reklamave dhe numri i ofertave "joshëse" ishte shumë më i ulët dhe zgjati shumë më pak. Megjithëse bankat në vend kanë dhënë përqindje interesash për depozitat në monedha të ndryshme më të mira se ato të vendeve fqinje, përfshi edhe ato ku ka tepër emigrantë shqiptarë (Greqia dhe Italia), pasiguria ose mungesa e besimit te bankat private në vend bëri që këtë vit të mos ishte ai fluks i pritshëm depozitash nga ana e emigrantëve. Ekspertët e sektorit bankar thanë se gjatë qershorit depozitat e shqiptarëve në banka pësuan rënie me 24 milionë euro, ose me 0.5 për qind kundrejt muajit maj. Sipas të dhënave, në krahasim me qershorin 2008, depozitat kanë rënë me rreth 147 milionë euro, ose 3 për qind. Rënia e depozitave është një fenomen shumë shqetësues për Bankën e Shqipërisë dhe ekspertët e ekonomisë, pasi është tregues i fuqisë kursyese të popullatës. Nëse një vend nuk kursen, atëherë shanset janë që të mos ketë mundësi të investojë dhe të rrisë ekonominë e vet.
Pasojat
Shqipëria i shton importet e veta në vjeshtë dhe në pranverë, gjë që sjell edhe presion nënçmues mbi lekun. Bankat presin që rritja e kërkesës për euro të shfaqet sërish gjatë muajve të ardhshëm, ndërkohë që vera nuk ka sjellë mjaftueshëm valutë. Për këtë arsye, një numër i madh analistësh parashikojnë tendencë negative për lekun, ose së paku nuk parashikojnë forcim. Megjithatë, Banka e Shqipërisë duket se është e vendosur të ruajë kuotën e 130 lekëve për euro dhe ka treguar gatishmëri të shpenzojë nga rezervat valutore për të ruajtur këtë nivel. Shqipëria zotëron mbi 2.3 miliardë dollarë në valutë të huaj, gjë që jep garanci se vendi mund të përballojë rënie të konsiderueshme të flukseve valutore të jashtme edhe për shumë muaj të tjerë. Leku shqiptar ka humbur rreth 6.5 për qind të vlerës kundrejt euros dhe dollarit, valuta me të cilat paguhen importet dhe ekspertët presin rritje në të njëjtën masë të çmimeve të të gjitha mallrave të sjella nga jashtë.
Shkurt/////////////////////////
Marrëveshje e shumëfishtë energjetike Rusi-Turqi
Moska dhe Ankaraja nënshkruan marrëveshje të shumëfishta bashkëpunimi në sektorin energjetik javën e kaluar, njoftoi dje "New York Times". Marrëveshjet do t‘i lejojnë Turqisë të fuqizojë rolin e vet si transportuese rajonale e energjisë dhe do t‘i mundësojnë Rusisë të ruajë kontrollin e vet në tregun botëror të gazit. Turqia lejoi kompaninë ruse "Gasprom" të përdorë territorin e vet ujor në Detin e Zi për ndërtimin e gazsjellësit "Rryma e Jugut", një projekt që synon të furnizojë me gaz rus Ballkanin, duke anashkaluar territorin e Ukrainës. Turqia pranoi gjithashtu mbështetjen ruse për të ndërtuar një naftësjellës që synon të lidhë Detin e Zi me detin Egje, duke shmangur ngushticën e Bosforit. Ky naftësjellës duhet të kalojë vetëm në territorin e Turqisë dhe i intereson Moskës për të ruajtur kontrollin e naftës së detit Kaspik. Në këmbim, Moska i premtoi Ankarasë se do t‘i shesë teknologjinë e nevojshme për të ndërtuar termocentrale bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike. Turqia gjendet në një pozicion komod gjeopolitik në diskutimet për rrugët e furnizimit me energji të Europës, pasi gjendet mes zonave naftëmbajtëse të Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme. Analistët kanë hedhur më herët hipotezën se Ankaraja po përdor pozicionin e vet gjeostrategjik për të ushtruar presion politik mbi Francën dhe vendet e tjera të BE-së që janë armiqësore kundrejt integrimit të saj në Bashkimin Europian. Marrëveshjet e reja me Moskën bien ndesh me dëshirat e Bashkimit Europian dhe Perëndimit për të rritur sigurinë e tyre energjetike dhe për t‘u larguar nga varësia e Rusisë në këtë fushë.
13 Gusht 2009