E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugët futin në “kurth” emigrantët, tre të vdekur dhe një i plagosur në Qerret



Një aksident i rëndë ka ndodhur dje pak pas mesditës në autostradën Durrës-Kavajë, në Qerret, kur një autobot uji është përplasur me një automjet tip “Golf” me targa greke, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjes e një tjetri. Viktimat, sipas policisë, ndodheshin në automjetin tip “Golf” me targa të huaja. Tre viktimat ishin emigrantë të kthyer nga Greqia, duket se rrugët jashtë standardeve të Shqipërisë janë kthyer në kurth për ta. Në vendin e ngjarjes mbërritën ekspertët e aksidenteve për të zbardhur rrethanat, ndërsa bënë të mundur nxjerrjen e trupave nga makina. Burime nga policia thanë se në makinën me targa të huaja ndodheshin katër persona, ku vetëm njëri prej tyre kishte shenja jete dhe pas ndërhyrjes së parë mjekësore mundi të fliste. Ai quhet Fatmir Alliu dhe është nga Librazhdi. Ndërkohë që sipas tij, viktimat janë Celik Dashi, 21 vjeç, Fajtona Alliu, 27 vjeçe dhe një tjetër grua rreth 50 vjeçe, emri i së cilës ende nuk është bërë i ditur. Policia po punon për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti tragjik, ndërsa ka shoqëruar drejtuesin e autobotit deri në sqarimin e shkaqeve të ngjarjes rrugore.
Statistikat
Dy persona të plagosur rëndë është bilanci i një aksidenti që ka ndodhur dy ditë më parë në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, në vendin e quajtur Ura e Rrogozhinës. Aksidenti ndodhi pardje kur një automjet me targa italiane është përplasur me një makinë mbeturinash me targa DR 8983 D. Mësohet se dy automjetet kanë qenë duke udhëtuar në të njëjtin kah kur makina e mbeturinave i ka prerë rrugën automjetit tjetër, i cili është spostuar në bankinat anësore të autostradës. Hekuri mbrojtës i autostradës i ka hyrë mjetit mes për mes duke rrezikuar jetën e dy personave që ndodheshin në makinë. Shkëlqim Jeshili dhe Alfred Dupi u transportuan menjëherë në spital nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë po jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e makinës së mbeturinave deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Masat
Duket se sigurimi i kollajtë i lejeve të drejtimit dhe infrastruktura jo garantuese e rrugëve kanë sjellë një numër të madh aksidentesh. Aksidentet janë shtuar sidomos muajt e verës, ku shumë emigrantë kanë qenë objekt i shkaktimit të tyre si pasojë e mospërshtatjes me rrugët tona. Këtë verë aksidenti më tragjik ndodhi dy javë më parë në Durrës, ku pesë persona mbetën të vdekur dhe tre të tjerë u plagosën rëndë si pasojë e përplasjes së tre mjeteve. Ngjarja tragjike ndodhi kur viktimat nga Tirana po ktheheshin nga një dasmë në Maminas të Durrësit. Goditja ka qenë tejet e fuqishme, duke mos u lënë asnjë shans mbijetese shoferes dhe katër pasagjerëve të mjetit “Golf” me targë TR 04 58 S. Viktimat ishin Dolores Skënderaj, 27 vjeçe, e cila ndodhej në timon, nëna e saj, Haxhire Skënderaj, bashkëshortët Eduart dhe Lumturi Lekdusha, përkatësisht 57 dhe 50 vjeçe, si dhe Lindita Limani 43 vjeçe. Viktimat ishin të gjithë nga Tirana, të afërm me njëri-tjetrin. Ngjarja alarmoi policinë, e cila kur mbërriti në vend gjeti një pamje tragjike.

Tiranë, 22-vjeçari plagos rëndë me makinë të moshuarën
Një grua në moshë të thyer mbeti e plagosur rëndë si pasojë e përfshirjes në një aksident, për të cilin policia komunikoi dje arrestimin e të dyshuarit. Ngjarja ndodhi në orën 09:45 në rrugën “Myslym Keta” të kryeqytetit. I riu Saimir Canaj, 22 vjeç, banues në Tiranë, ishte duke qarkulluar me automjetin e markës “Fiat”, me targë të huaj BR 135 XH kur u përfshi në aksident. Specialistët e seksionit të Hetimit të Aksidenteve bëjnë të ditur se 22-vjeçari ka aksidentuar këmbësoren Lumnie Naxhaku, 66-vjeçare, banuese në Tiranë, në momentin e përplasjes po tentonte të kalonte nga njëri trotuar në tjetrin. E aksidentuara u dërgua menjëherë në spital, ku aktualisht ndodhet në reanimacion në gjendje të rënduar shëndetësore. Policia tha se u bë arrestimi në flagrancë i të riut si dhe u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Ditët e fundit shihet sërish një rritje e numrit të aksidenteve, pas korrikut “të zi” ku disa dhjetëra qytetarë vdiqën në incidente të ndryshme, kryesisht në superstradat e vendit.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›