PS: Qeveria të japë llogari për bashkëpunimin me krimin gjatë zgjedhjeve
Socialistët akuzojnë qeverinë për bashkëpunim me eksponentë kriminalë gjatë fushatës zgjedhore. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, ka deklaruar dje gjatë një konference për shtyp se PS-ja disponon prova dhe fakte që vërtetojnë bashkëpunimin e qeverisë me eksponentë të krimit. Ajo tha se së shpejti këto fakte do të bëhen publike, ndërsa shtoi se faktori ndërkombëtar në Tiranë është njohur me këto prova të vëna në dispozicion nga Partia Socialiste. Më tej, në fjalën e saj, Dade i bëri thirrje qeverisë të japë llogari se pse u nxorën nga burgjet të dënuar gjatë fushatës elektorale.
Akuzat
“Berisha të japë llogari për bashkëpunimin me krimin gjatë zgjedhjeve. Tragjedia e Durrësit është shprehja më alarmante e kalbjes së shtetit në duart e një pushteti të korruptuar e të inkriminuar. Berisha të japë llogari për bashkëpunimin me krimin gjatë zgjedhjeve dhe lirimin e dhjetëra kriminelëve nga burgjet, me leje të paligjshme, për të ndihmuar qeverinë në një fushatë të pashembullt presionesh ndaj opozitës”, - është shprehur sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste. Ajo shtoi se PS-ja disponon prova dhe fakte të pakundërshtueshme, të cilat vërtetojnë lidhjen dhe bashkëpunimin e qeverisë me krimin. “Ne disponojmë prova dhe fakte rrëqethëse që ua kemi bërë të ditura partnerëve ndërkombëtarë dhe do t’ia bëjmë të ditura edhe opinionit publik shqiptar për bashkëpunimin konstant të këtij pushteti me krimin”, - është shprehur Dade. Sipas saj, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk mund të fshihet pas sakrificës së Policisë, ndërsa nga njëra anë bën thirrje për luftë me zero tolerancë kundër krimit dhe, nga ana tjetër, përdor të dënuar të rrezikshëm për të siguruar qëndrimin e tij në pushtet. “Sali Berisha nuk mund të fshihet pas sakrificave të uniformave blu dhe thirrjet e tij për tolerancë zero janë pa asnjë kuptim pas bashkëpunimit të tij me të dënuar të rrezikshmërisë së lartë për ta mbajtur një pushtet që nuk buron nga vota e lirë e popullit, po nga deformimi i plotë i saj”, - është shprehur Dade. Deklarata e përfaqësueses së lartë të Partisë Socialiste erdhi dje fill pas takimit që kryeministri Berisha zhvilloi me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
13 Gusht 2009