E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Brenda vitit 2010 të kalojmë tërësisht në ushtri profesionale”

Zhvillohet ceremonia e ndërrimit të Komandës së NATO-s në Shqipëri

Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar ceremonia e ndërrimit të komandës së NATO-s në Shqipëri. Pas 18 muajsh në krye të kësaj detyre, gjeneral-brigade Vasili Kirilov Dimitrov, në prani të admiralit Fitzgeral, ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa, shefit të Shtabit të Përgjithshëm Maksim Malaj, kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri, ia dorëzoi detyrën gjeneral-brigade Dincho Ivanov Karamunchev. Këtë ceremoni e përshëndeti me fjalën e tij kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh i palëkundur në vendimin që brenda vitit 2010 Ushtria shqiptare do të jetë plotësisht profesioniste. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Berisha shprehu falënderimet për gjeneralin Dimitriv, i cili përfundoi misionin e tij në Tiranë. “Jemi sot këtu së pari për të shprehur mirënjohjen më të thellë, falënderimin më të përzemërt, gjeneralit Dimitrov, që përfundon misionin e tij në Shqipëri në drejtimin e Mail-T Tirana dhe që kthehet në vendin e tij me një detyrë shumë të rëndësishme të besuar nga qeveria dhe autoritetet e vendit mik. Gjeneral Dimitrov është gjeneral i një karriere të shkëlqyer ushtarake, i cilësive të rralla, dhe jam i sigurt që ka një të ardhme të madhe si ushtarak në vendin e tij dhe në strukturat e NATO-s. Por gjithashtu, dua të theksoj se emërimi juaj në Shqipëri, detyra juaj në Shqipëri, do të shkëlqejë gjithmonë në karrierën tuaj. Ju erdhët këtu 18 muaj më parë, në krye të komandës së NATO-s në Shqipëri, erdhët në një periudhë kur anëtarësia e Shqipërisë në NATO ishte ende një aspiratë. Në këtë periudhë ju ishit jo vetëm dëshmitar, por një katalizë dhe një kontribuues i madh dhe i rëndësishëm në zhvillimet e mëvonshme në Shqipëri”,- është shprehur Berisha, ndërsa e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si ngjarjen më të rëndësishme pas pavarësisë së vendit. Më tej, gjatë fjalës së tij, Berisha uroi marrjen e detyrës si drejtues i komandës së NATO-s në Shqipëri nga gjeneral-brigade Karamunchev. “Sot është një ditë lamtumire, por është edhe një ditë fillimi të ri, sepse gjeneral-brigade Karamunchev merr detyrën, si drejtues i Mail-T Tirana dhe unë dua t’i uroj mirëseardhjen. Dua ta siguroj se traditën e shkëlqyer të bashkëpunimit të paraardhësit të tij gjeneral Dimitrov, do ta thellojmë më tej dhe do ta konsolidojmë më shumë. Ju do të drejtoni ekipin tuaj në një vend që në prillin e kaluar u bë anëtar i plotë i NATO-s. Dje në përmbushjen e detyrimeve tona dhe në mbështetjen e strategjisë të presidentit Obama për Afganistanin ne nisëm një kompani të re për Herat, duke dyfishuar praninë tonë në këtë vend. Ne do të çojmë sërish një ekip të ri me mjekë dhe infermierë në Kabul dhe do të marrim pjesë aktive në ndërtimin civil të këtij vendi brenda mundësive tona”, është shprehur Berisha. Kryeministri shprehu vendosmërinë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i vendit në NATO, duke përfshirë dhe krijimin e një ushtrie profesionistësh. “Ne jemi të vendosur që brenda vitit 2010 të kalojmë tërësisht në ushtri profesionale. Ne ndiejmë nevojën dhe jemi të vendosur që ushtria jonë të aftësohet gjithnjë e më shumë për veprimet e saj në kushte paqeje, sikurse të aftësohet për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të aleancës, aty ku e lyp nevoja. Ndaj edhe unë e quaj tani një fillim të ri misionin tuaj”, - është shprehur Berisha.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›