E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, qeveria ndryshon kodin doganor



Në mbledhjen e djeshme qeveria ka marrë vendimin për kryerjen e disa ndryshimeve në ligjin për “Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë”. Me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi dje që të kryejë disa ndryshime në pjesën “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”. Ndryshimet prekin Drejtorinë e Origjinës dhe Tarifës, strukturë përbërëse e DPD-së, e cila përbëhet nga: a) Sektori i tarifës;
b) Sektori i origjinës; c) Sektori i akcizës dhe TVSH-së. Kjo drejtori harton dhe përditëson nomenklaturën e mallrave dhe tarifën doganore, si dhe administron shënimet (notat) shpjeguese, jep informacion tarifor të detyrueshëm (ITD) dhe administron operacionet e privilegjuara. Gjithashtu, kjo drejtori administron origjinën e mallrave, sipas marrëveshjeve preferenciale përkatëse, procedurat e lëshimit të certifikatave të origjinës preferenciale, ndjek zbatimin e masave të politikës tregtare, të kuotave dhe të tavaneve tarifore dhe të masave antidumping. Drejtoria e Origjinës dhe Tarifës mbikëqyr rregullat për akcizën, TVSH-në dhe taksat e tjera në import. Po kështu ndryshimet prekin edhe Drejtorinë e Vlerës Doganore, që përbëhet nga: a) Sektori i mbikëqyrjes së vlerës doganore; b) Sektori i referencave. Kjo drejtori administron dispozitat, që kanë të bëjnë me procesin e vlerësimit doganor të mallrave, si dhe ndjek përditësimin e kursit të këmbimit. Drejtoria ndërton vlerat referuese, bazuar në burimet e miratuara, si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre. Drejtoria e Vlerës Doganore siguron përditësimin e dosjes me të dhënat e disponueshme, si dhe përgatit e administron udhëzimet dhe urdhrat, që kanë të bëjnë me vlerën doganore. Në bashkëpunim me degët doganore dhe strukturat e tjera të sistemit doganor, kjo drejtori siguron zbatimin korrekt dhe unifikimin e vlerës doganore të mallrave.

Qeveria miraton formulën e privatizimit të kompanisë “INSIG”

Këshilli i Ministrave, miratoi në mbledhjen e djeshme projektligjin për përcaktimin e formës dhe formulës së transferimit të aksioneve, që zotëron shteti shqiptar, në shoqërinë tregtare “INSIG sh.a.”, si dhe të drejtave të lidhura me to. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, forma e transferimit të 100 për qind të aksioneve të shoqërisë tregtare “INSIG sh.a.”, të cilat zotërohen nga shteti shqiptar, është transferimi me anë të shitjes, në favor të investitorëve, nëpërmjet procedurës "Tender i hapur ndërkombëtar", sipas formulës së përcaktuar në ligj. Ndërkohë që termi "investitor", është shoqëria e njohur në tregun, kombëtar dhe ndërkombëtar, të sigurimeve, që është e suksesshme në treg dhe është në gjendje të tregojë e të përmbushë kapacitetet e kërkuara për zhvillimin e “INSIG sh.a.”, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sigurimeve në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa struktura e formulës së privatizimit të “INSIG sh.a.”, është që deri në 100 për qind të aksioneve t’u ofrohen për shitje investitorëve, të cilët përzgjidhen me tender të hapur ndërkombëtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Vlera e të drejtave, që lidhen me aksionet e shtetit në “INSIG sh.a.”, me të cilën do të fillojnë negociatat për shitjen, është vlera e miratuar me vendimin nr.1578, datë 4.12.2008, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e vlerës të së drejtave, që lidhen me aksionet e shtetit në ‘INSIG sh.a.’, me të cilën do të fillojnë negociatat për shitjen e tyre". Projektligji përcakton dhe detyrimet e investitorëve, zbatimin e privatizimit, etj.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›