E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shqiptare do ta ndihmojë Kosovën me ekspertizë në fushën e rendit



Qeveria shqiptare do ta ndihmojë qeverinë e Kosovës me ekspertizë në fushën e rendit dhe të sigurisë. Këtë e premtoi dje kryeministri Berisha gjatë një takimi të zhvilluar me kryetarin e Komisionit për Punët e Brendshme dhe Sigurisë të Parlamentit të Kosovës, Muharrem Mustafa. Gjatë bisedës Mustafa i kërkoi kryeministrit ndihmë me ekspertizë në reformën në fushën e rendit dhe sigurisë, kërkesë e cila u mirëprit nga kryeministri Berisha. Gjatë bisedës, Mustafa e ngushëlloi kryeministrin Berisha për rënien në krye të detyrës të katër oficerëve të Policisë së Shtetit në luftë me krimin. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, vlerësoi se kjo ishte një vdekje heroike dhe se efektivat e Policisë u vranë vetëm sepse zbatuan ligjin në mënyre të përpiktë. Kryeministri tha se ata ishin oficerë të shkëlqyer, me një karrierë brilante në radhët e policisë dhe se në sajë të aktit të tyre, ajo bandë kriminele nuk është më.
Më tej, zoti Berisha bëri një ekspoze të arritjeve të Shqipërisë në fushën e rendit dhe sigurisë, por edhe në fusha të tjera dhe vuri theksin në nevojën e hapave konkretë në bashkëpunimin midis dy vendeve tona në të gjitha fushat.
Kryeministri u shpreh se është jashtëzakonisht e rëndësishme që dy qeveritë të eliminojnë çdo lloj ndryshimi midis dy vendeve. “Dy qeveritë duhet të shërbejnë si dy mundësi dhe jo si pengesa për qytetarët”, - vijoi kryeministri, duke shtuar se duhet të merren veprime konkrete në njehsimin e sistemit të doganave, financave, arsimit etj., me modelin e vendeve të Bashkimit Europian. Kryeministri përfundoi se kombi duhet të ndjehet një, duke respektuar pavarësinë e Kosovës. Ai vërejti se progresi i Kosovës gjatë një viti e gjysmë, që nga pavarësia e saj, është i jashtëzakonshëm dhe se e sheh të ardhmen e saj me një optimizëm të madh. Kryeministri tha se Kosova po faktohet si faktor stabiliteti.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›