Qeveria “spiunon” bizneset borxhlinj tek bankat private
Ervin KOÇI
Klima mes biznesit vendas dhe qeverisë duket se do të ashpërsohet më tej. Kjo e fundit ka vendosur që të “spiunojë” tek bankat private dhe tek të gjitha institucionet e tjera financiare në vend të gjitha ato kompani apo subjekte biznesi që figurojnë si debitorë në zyrat e shtetit. Ka qenë vet kryeministri Berisha i cili dje gjatë mbledhjes së qeverisë i ka propozuar ministrit të Financave dhe kabinetit të tij, hartimin e një “liste të zezë” të të gjitha subjekteve që figurojnë si borxhlinj në institucionet shtetërore dhe ato private. “Një problem serioz për bizneset bëhen borxhlinjtë e këqij. Çdo qeveri borxhin ndërmjet biznesmenëve e trajton me procedura të caktuara”- ka deklaruar dje Kryeministri Berisha. Ai është nisur nga shembulli konkret që muajin e fundit ka eksperimentuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila në kundërshtim me të gjitha procedurat dhe praktikat e ruajtjes së konfidencialistetit për subjektet e biznesit dhe taksapaguesit, ka hartuar dhe publikuar listën me subjektet borxhlie. “Kam dëgjuar se pronarët e betonierave kishin formuar listën e zezë të ndërtuesve. Megjithëse nga Tatimet nuk e kanë sjellë këtë listë, unë e përshëndes hapin e tyre”,- ka thënë më tej kreu i ekzekutivit. Duke përmendur faktin që qeveria do t’u dërgojë informacion bankave private për bizneset borxhlinj, kryeministri ka propozuar propozuar marrjen e sanksioneve ndaj të gjitha subjekteve që nuk janë taksa-paguese të rregullta ose që janë edhe debitorë në bankat tregtare. “Ndërsa qeveria paguan TVSH-në me automatizëm dhe bën një nga gjërat më të mira, ata nuk i paguajnë atij që i kanë detyrimin. Kjo është e papranueshme”- tha më tej kryeministri duke përmendur veprimet që do të ndërmarrë qeveria.
Procedurat
Në lidhje me skemën e “spiunimit” të ndërsjelltë midis qeverisë dhe institucioneve financiare private, puna parashikohet të shtrihet në dy drejtime. Së pari, të gjitha subjektet private që nuk paguajnë detyrimet dhe borxhet që i kanë me dokumente shtetit, nuk do të përfitojnë rimbursimin e TVSH-së. Kjo të paktën derisa të vënë në rrugëzgjidhje çështjen e borxhit, ndonëse jo menjëherë, pasi çdo borxh rishqyrtohet dhe skedulohet. Skema e dytë që propozoi kryeministri është që qeveria do të krijojë edhe sistemin e njoftimit (informimit) për bankat private për çdo subjekt debitor ndaj shtetit. Kjo gjë sipas kryeministrit Berisha ka një rëndësi të posaçme, sepse nuk mundet që për shkak të borxhlinjve të falimentuar të rritet krediti jo i mirë në banka. “Ashtu siç ekziston regjistri i kredive kombëtare dhe për rrjedhojë aty janë edhe kreditë jo të mira, duhet të ekzistojë edhe regjistri i borxheve jo të mira dhe ky regjistër administrohet nga bankat”, ka deklaruar kryeministri Berisha. Ai ka vijuar më tej se, “ky është një problem delikat, por ka praktika të konsoliduara europiane, të cilat kanë stadet e vet, paralajmërimin e parë, të dytë dhe herën e tretë afishohesh në një listë e bankat nuk të japin më kredi”. Sipas tij, ky është një kusht shumë i rëndësishëm për funksionimin e lirë të tregut, sepse tregu funksionon mbi bazën e iniciativës dhe suksesit, por edhe të mossuksesit dhe falimentimit. “Në qoftë e ‘mbush thesin’ me borxhe, në këtë mënyrë falimenton edhe të tjerët”, ka shtuar kryeministri Berisha.
Biznesi
Kryeministri Berisha është munduar që ta kanalizojë propozimin e tij të bërë dje mbi spiunimin e bizneseve me probleme në aspektin financiar, përfaqësuesit e shoqatave të biznesit kanë qenë kundër që në fillim të nisjes së këtyre skemave. Ata e kanë kundërshtuar me forcë mënyrën e ndjekur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të publikimit të emrave të atyre kompanive që kanë probleme në pagesën e taksave dhe detyrimeve tatimore. Kjo sipas përfaqësuesve të biznesit, përbën shkelje të hapur të konfidencialitetit të subjekteve private dhe rrezikon aktivitetin e tyre në të ardhmen. Por kryeministri Berisha është justifikuar për këtë veprim duke ua pasuar topin bankave private që sipas tij rrezikohen nga kompanitë me borxhe. “Përgjegjësia e qeverisë është të bëjë atë që mund të bëjë për të mbrojtur sistemin bankar”- tha kreu i qeverisë. Duke iu referuar edhe kompanive të ndërtimit si dhe mjaftë subjekteve të tjera që sipas tij fshehin deklarimet dhe problemet që kanë me borxhet, kryeministri Berisha e lidhi këtë veprim me përpjekjet për të luftuar informalitetin në ekonomi.
13 Gusht 2009