Depresioni, 35-vjeçari i vë flakën shtëpisë
Gjendja e rëndë psikologjike dyshohet se është bërë shkak që një 35-vjeçar nga qyteti i Kuçovës t’i vërë zjarrin banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në lagjen “1 Maji” të qytetit naftëtar. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se Fatmir Bregu, 35 vjeç, banor i këtij qyteti, pas një grindje me bashkëshorten e tij, i ka vënë flakën banesës, duke djegur fillimisht orenditë e saj dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë. Rreth orës 14:00 mësohet se ka mbërritur informacioni pranë Repartit të Zjarrfikëses në këtë qytet për një zjarr të rënë në një banesë njëkatëshe në lagjen “1 Maji”. Banesa e familjes Bregu është djegur pjesërisht nga zjarri. Punonjësit zjarrfikës nisën menjëherë nga puna për fikjen e flakëve, duke eliminuar përhapjen e tyre në të gjithë banesën. Nga deklarimi i banorëve të lagjes është mësuar se zjarri ishte vënë qëllimisht në banesë nga kryefamiljari. Ky i fundit mësohet se mbrëmjen e së martës është grindur me bashkëshorten e tij, pasi vuan prej kohësh nga depresioni. Policia mësohet ta ketë shoqëruar mbrëmë në organin blu dhe vetëm pasi është qetësuar, është lënë i lirë. Por, mesditën e djeshme, 35-vjeçari, baba i një fëmijë, i cili dy vite më parë tentoi të hidhej nga kullat e qytetit, ka vazhduar sërish të grindet me bashkëshorten, e ndërsa ajo është larguar drejt banesës së prindërve, ai i ka vënë zjarrin shtëpisë së tij. 35-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e qytetit të Kuçovës dhe do t’i nënshtrohet vizitës mjekësore.
#