E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia hyn sot në Lazarat për propagandën antikanabis

Gjirokastër Fushata sensibilizuese pritet të zbresë sot në fshatin që për 12 vjet nuk e njohu ligjin

Policia e Gjirokastrës ka paralajmëruar se sot do të jetë radha e Lazaratit për t’u sensibilizuar për luftën në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Pas takimeve në Këlcyrë të Përmetit, stacioni tjetër pritet të jetë komuna më e përfolur për këtë veprimtari të paligjshme. Takimi i djeshëm në qytetin e Këlcyrës u zhvillua në ambientet e shkollës së mesme të qytetit, në prani të përfaqësuesve të komunave të Rrethit Përmet, kryepleqve të fshatrave dhe një përfaqësie të qeverisë së nxënësve të shkollës së mesme Këlcyrë. Kryetari i Komunës Frashër, i vetmi drejtues i komunave dhe bashkive të rrethit që është arrestuar për shkak të kanabisit në territorin e tij, ka pohuar se “ligji na detyron neve si drejtues të komunitetit që ta bëjmë këtë fushatë sensibilizuese dhe jo policia, ndaj duhet përshëndetur iniciativa e policisë. Në Komunën Frashër s’do përsëritet më fenomeni i vitit të kaluar, ku në një fshat u kultivua kanabis në tokat e disa familjarëve që ishin në Greqi dhe strukturat vendore të fshatit nuk e kryen detyrën”. Nëndrejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Adriatik Tafçiu, ka theksuar: “Jemi të vendosur për të ndërhyrë në çdo cep të Qarkut Gjirokastër. Në rast se këtu bashkëbisedojmë në mënyrë miqësore, pasi Përmeti s’është problematik në këtë drejtim, me Komunën Lazarat po kryejmë të gjitha veprime ligjore shumë herë më shumë se me ju, me qëllim që edhe atje banorët të ndërgjegjësohen, të heqin dorë nga ky fenomen, në të kundër do përballen me ligjin”. Burime të policisë bëjnë të ditur se takimi sensibilizues i radhës pritet të jetë më i vështirë se takimet e deritanishme, pasi është planifikuar që të kryhet në fshatin Lazarat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›