Grabiten klandestinët që ecnin monopatit
Skenat e grabitjes së klandestinëve me maska dhe armë janë përsëritur mbrëmjen e së martës në afërsi të Konispolit. Bastisja e radhës ka ndodhur në rrugët qorre, ku ishin duke ecur një grup klandestinësh prej tri vetash. Policia e Sarandës tha se “tre shtetas, të kapur nga policia në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin, kanë denoncuar grabitjen që u është bërë nga tre persona. Tre të rinjtë nga Vlora dhe Fieri kanë denoncuar se ndërkohë që ata ecnin në rrugën midis fshatrave Shëndëlli dhe Xarrë të Sarandës, u kanë dalë përpara tre njerëz me kapele në kokë, të cilët u kanë marrë në kërcënim portofolat me 150 euro, si dhe tre telefona celularë. Tre klandestinët treguan se ndaj tyre nuk është ushtruar dhunë e as kanë parë armë në duart e grabitësve, por ua kanë dhënë paratë nga frika. Pas marrjes së denoncimit, policia ka vepruar duke ngritur grupin hetimor dhe ka shoqëruar disa të dyshuar, banorë të fshatit Shëndëlli, por ata janë lënë sërish të lirë. Policia tha se fillimisht uniformat blu të kufirit kishin kapur katër klandestinë dhe nuk i kishin lejuar ata të vazhdonin rrugëtimin drejt kufirit, por i kishin kthyer mbrapsht. Mësohet se tre prej tyre u kapën për herë të dytë në tentativën e tyre dhe kanë qenë pikërisht ata që janë bërë pre e grabitjes nga persona ende të paidentifikuar.
#