E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja djeg me acid dashnoren e burrit

Pogradec, Adelina Avdullari, me të bijën adoleshente, rrahën dhe damkosën 27-vjeçaren

Mëson se burri e tradhtonte, i djeg me acid fytyrën “rivales” së saj. Gjithçka ka ndodhur kur 39-vjeçarja ka mbetur vetëm me të bijën, pasi bashkëshorti e braktisi për hir të së dashurës me të cilën kishte filluar të bashkëjetonte.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Lin të Pogradecit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se 39-vjeçarja Adelina Avdullari, bashkë me të bijën 17-vjeçare, në shenjë hakmarrjeje dhe duke e konsideruar shkaktare të ndarjes së çiftit, kanë marrë rrugën nga Pogradeci deri në fshatin Lin “për të larë hesapet” me 27-vjeçaren që ishte e dashura e kryefamiljarit Stilian Avdullari.
Skena është zhvilluar në banesën ku 27-vjeçarja Aurora Llapushi jetonte me bashkëshortin e Adelinës. Nënë e bijë kanë shkuar për ta takuar vajzën së cilës i kanë kërkuar takim për t’u sqaruar dhe duke përfituar nga momenti që ajo ka qenë vetëm në shtëpi, e kanë rrahur në shenjë hakmarrjeje për ndarjen që i shkaktoi familjes. Burimet e policisë kanë thënë se Aurora Llapushi ka pasur një shenjë plage në fytyrë dhe vajza pretendon se i është shkaktuar nga acidi që nënë e bijë i kanë hedhur në fytyrë ndërsa kanë qenë duke e rrahur. Sipas policisë, në trupin e 27-vjeçares janë konstatuar plagë të shkaktuara nga goditje me mjete të forta.

Ngjarja ka ndodhur në mesditë, kur të dyja femrat kanë përfituar nga fakti se vajza ka qenë vetëm dhe i ka pritur për të bashkëbiseduar. Ajo ka pasur një vizitë të papritur në shtëpi nga gruaja pogradecare, që kishte ardhur enkas në fshat me vajzën e saj adoleshente.

Burimet policore thonë se nënë e bijë i kanë dhunuar banesën 27-vjeçares nga fshati Lin dhe e kanë goditur në shenjë hakmarrjeje pasi ajo bashkëjetonte me shtetasin Stilian Avdullari. Ky i fundit ishte ndarë nga gruaja e tij, Adelina Avdullari, dhe kishte krijuar një lidhje të re me vajzën 27-vjeçare nga fshati Lin.

Pasi kanë nxjerrë dufin, nënë e bijë janë larguar, duke e lënë vajzën në shtëpi. Kjo e fundit ka kërkuar ndihmën e banorëve të zonës, të cilët e kanë ndihmuar të shkojë në spitalin e qytetit të Pogradecit.

27-vjeçarja i është nënshtruar menjëherë trajtimit mjekësor, ndërkohë që ka kryer denoncimin tek uniformat blu pogradecare. Vajza ka pretenduar se është goditur me mjete të forta dhe është rrahur me grushte ndërsa për ta damkosur, në fytyrë i kanë hedhur acid. Ndërkaq, të dyja autoret e këtij sulmi, nënë e bijë, janë çuar për ndjekje penale për veprën e “plagosjes së lehtë me dashje”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›