E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet në liqen ish-oficeri nga Korça

Pogradec

Një kufomë e seksit mashkull është gjetur në orët e mëngjesit në liqenin e Pogradecit. Viktima, një 50-vjeçar nga Korça, është identifikuar nga ana e policisë vetëm pesë orë pas gjetjes së trupit. Ai ka qenë i veshur me uniformë sportive dhe sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka dalë për vrap në orët e para të mëngjesit. Burimet e policisë bëjnë të ditur se viktima është Koço Stojani, ish-ushtarak në lirim, i cili ishte nisur në mëngjes nga qyteti i Korçës dhe kishte shkuar në Pogradec, ku kishte dalë shëtitje dhe ishte parë nga shumë kalimtarë në breg të liqenit. Trupi i pajetë është gjetur nga kalimtarë të rastit në afërsi të molit ku mendohet se 50-vjeçari kishte shkuar për t’u freskuar, por më pas ka rënë në ujë dhe është gjetur i mbytur në një distancë rreth 50 metra nga bregu, jo shumë larg molit. Viktima është transportuar në morg nga policia. Nga këqyrja paraprake e kufomës, nuk janë vërejtur shenja dhune. Sipas ekspertëve, mendohet se viktima mund të ketë pësuar një atak kardiak, ndërsa është ndalur për t’u freskuar me ujë liqeni. Nga hetimet ka rezultuar se kohët e fundit 50-vjeçari kishte shfaqur shenja depresioni dhe kjo ka qenë arsyeja që ishte larguar nga banesa e tij për të ardhur në qytetin e Pogradecit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›