E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, gjykata dënon me 8 muaj ish-deputetin e PS-së

 

Faik Memushaj është dënuar për shpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishte kreu i Drejtorisë së Bujqësisë e Ushqimit

FIER- Policia e Fierit ka arrestuar dje ish- kreun e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit i cili është dënuar nga gjykata me tetë muaj burg. Ish- deputeti i Partisë Socialiste deri në vitin 1991 është dënuar për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Pas shumë apelimesh, vendimi ka marrë dy ditë më parë formën e prerë dhe gjykata ka dërguar urdhër-arrestin në polici. Menjëherë uniformat blu kanë ekzekutuar vendimin duke prangosur 60- vjetarin Faik Memushaj, banues në komunën Frakull të rrethit të Fierit.

Faik Memushaj ka qenë i njohur në qarqet partiake të Partisë Socialiste të Fierit. Ai ka pasur funksione të ndryshme partiake, ndërkohë që ka qenë deputet deri ne vitin 1991. Gjatë viteve 1999- 2004 ai ka drejtuar Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit në Qarkun e Fierit. Por pasi u largua nga detyra ai u akuzua për abuzime të shumta. Akuzat ndaj tij u konkretizuan në gjykatë me shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Një vit më parë, përfundoi edhe procesi në ngarkim të Memushajt dhe Gjykata e rrethit Fier e dënoi me 12 muaj burgim. Por në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka zbritur 1/3 e masës së dënimit duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Faik Memushaj me tetë muaj burgim. Vetëm pak ditë më pas, i pandehuri ka bërë ankimim në Gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila ka pranuar çështjen. Në këto kushte vendimi për arrestimin e tij është pezulluar deri sa të merrte formë të prerë vendimi i gjykatës. Pas rishqyrtimit të çështjes nga Apeli i Vlorës, është vendosur lënia në fuqi e vendimit të gjykatës së parë. Ky vendim është marrë tre ditë më parë dhe sapo i ka mbërritur në dorë prokurorisë lokale, është lëshuar urdhër-arresti për 60- vjetarin. Urdhër-arresti është ekzekutuar menjëherë nga policia dhe tashmë ish- deputeti i Partisë Socialiste deri në vitin 1991 duhet të kalojë tetë muaj në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›