Depresioni pas humbjes së nënës, vetëvaret 18-vjeçarja
Mesazhi i fundit i së resë para se të vetëflijohej: Më varrosni pranë varrit të nënës sime
Fier Një 18-vjeçare e quajtur Etleva J., i ka dhënë fund jetës së saj, duke u vetëvarur në ambientet e brendshme të banesës së saj. Ngjarja, e cila konfirmohet edhe nga policia fierake, është regjistruar rreth orës 19:15 në fshatin Vlosh, rrethi Fier. E reja është gjendur nga të afërmit e saj e pajetë dhe këta të fundit kanë njoftuar edhe organet e rendit në drejtorinë e policisë së qarkut Fier. Në vendngjarje ka mbërritur grupi i ekspertëve, pjesëtarë të organit të akuzës, si dhe mjeku ligjor. Pas ekzaminimeve të bëra në vendngjarje, grumbullimit të të dhënave paraprake, trupi i pajetë i 18-vjeçares është dërguar në morgun e qytetit, ku i është nënshtruar edhe ekspertizës mjeko- ligjore, për të vërtetuar shkaqet dhe rrethanat e kësaj vdekjeje.
Ngjarja
Të afërm të saj kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje nga ana e organeve hetimore, se e reja nuk vuante nga asnjë sëmundje mendore. Prej kohësh ajo ishte e fejuar në Lushnjë, dhe me bashkëshortin e saj të ardhshëm nuk kishte pasur konflikt, që mund ta çonte në veprimin ekstrem. Ajo jetonte së bashku me babanë e saj dhe të kunatën, nusen e vëllait, në një shtëpi në fshatin Vlosh. Nëna e saj nuk jeton prej disa vitesh, ajo kishte ndërruar jetë. Në çastin fatal, vajza është mbyllur në dhomën e saj dhe duke përfituar dhe nga mungesa e të afërmve në këtë mjedis, ka varur veten me një litar. Para aktit fatal, mësohet se vajza ka shkruar në aparatin e saj celular një mesazh. Mesazhi nuk i është dërguar askujt. Por aparati është lënë i hapur dhe mesazhi arrihej të lexohej qartë. Sipas burimeve nga policia, në mesazh vajza i drejtohej babait dhe të afërmeve të tjerë të saj, se po ikte nga kjo botë e bindur në veprimin që po kryente. “Unë dua që të më varrosni pranë varrit të nënës dhe të mos mërziteni me ikjen time”. Ajo nuk ka sqaruar asnjë rrethanë apo shkak përse po e kryente vetëvrasjen.
Pasi kanë marrë në pyetje familjarët e saj, policia ka marrë në pyetje gjithashtu edhe të fejuarin e saj, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur prej uniformave blu fierake. Edhe i fejuari ka deklaruar se nuk kishte pasur asnjë grindje apo mosmarrëveshje me të fejuarën e tij, ndërsa ishte shprehur se ishte shokuar në çastin kur kishte marrë vesh lajmin e hidhur për vdekjen e saj. Në ditën e djeshme, trupi i pajetë i 18-vjeçares është dërguar për në banesën e fundit. Ndërsa blutë e drejtorisë së Policisë Qarku Fier po punojnë për zbardhjen e motivit dhe shkaqet që çuan në vetëvarjen 18-vjeçaren Etleva J.