Gjykata “rrëzon” Prokurorinë, pezull plumbi i Aleks Nikës
Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë kërkesën për të rikthyer në burg njërin prej gardistëve. Prokuroria: Nuk kemi asnjë dijeni për ekspertizën e plumbit nga Turqia
Tiranë Katër muaj pas ngjarjeve të 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër demonstrues të opozitës, Prokuroria nuk ka asnjë provë të re që mund të implikojë si të dyshuar gardistët. Teksa përpiqej të bindte Kolegjin Penal për të rikthyer në qeli njërin prej tyre, përfaqësuesi i akuzës tha se nuk kishte dijeni për predhën që do të ekzaminohej në laborator, nga ku do të dilte edhe arma që ka qëlluar mbi Aleks Nikën. Me këtë argument, prokuroria i kërkoi gjykatës ndalimin e katër gardistëve dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, në pritje të predhës që i mori jetën Aleks Nikës. Kërkesa e Prokurorisë nuk u pranua e plotë nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila i la 30 ditë afat organit të akuzës të sjellë prova të reja ndaj gardistëve të dyshuar për vrasje më 21 janar. Vendimi i Shkallës së Parë u rrëzua nga Gjykata e Apelit, e cila liroi tre gardistët me argumentin se prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë që mund të ngarkojë me përgjegjësi të dyshuarit. Kundër këtij vendimi bëri ankim prokuroria, e cila ditën e djeshme kërkoi nga Gjykata e Lartë të rikthejë në qeli gardistin Gazmend Ahmetaj, por duke mos paraqitur asnjë provë të re për këtë kërkesë, edhe pse kanë kaluar më shumë se katër muaj nga ngjarjet ku u vranë katër demonstrues. Gjatë seancës së djeshme, Kolegji Penal e cilësoi si të pabazuar në prova kërkesën e prokurorisë, madje duke kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës nëse gjatë kësaj kohe kishte mundur të siguronte prova të reja ndaj gardistit Gazmend Ahmetaj. Gjithashtu, Kolegji Penal ka pyetur prokurorin nëse kishte përfunduar ose jo ekzaminimi i plumbit që vrau Aleks Nikën, por përfaqësuesi i akuzës tha se nuk kishte dijeni për këtë veprim hetimor. Në kërkesën e tij, prokurori tha se Gjykata e Apelit gjatë ndryshimit të masës nga arrest me burg për 30 ditë në lirimin e të dyshuarve, nuk i kishte lënë kohë akuzës të mblidhte provat për të akuzuarit, që sipas prokurorisë janë cilësuar si “grupi i zjarrit”. Fillimisht prokuroria i kërkoi gjykatës arrestimin e Gazmend Ahmetajt, Mark Nikollit dhe Sadik Çelës, të cilët kanë qëlluar më 21 janar. Gjykata e Apelit e cilësoi të padrejtë vendimin e Shkallës së Parë, duke urdhëruar lirimin e tyre me argumentin që prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë. Tashmë që kanë kaluar katër muaj nga këto ngjarje, duket se organi i akuzës është me të njëjtat prova si në fillim të hetimeve për këtë ngjarje, kur urdhëroi ndalimin e gardistit Agim Llupo, si i dyshuar për vrasjen e Ziver Veizit.