Regjistrimi në QKR, kundërshtojnë tregtarët e vegjël
Tatimorët aksion për sekuestrimin e mallit ndaj rebelëve që nuk pranojnë regjistrimin
DURRËS Tregtarët e vegjël dhe ata që klasifikohen si tregtarë ambulantë kanë kundërshtuar regjistrimin në QKR dhe pagimin e detyrimeve tatimore. Bëhet fjalë për qindra biznese të vegjël dhe ambulantë që shfrytëzojnë periudhën e sezonit verior për të ushtruar aktivitetin e tyre fiskal për disa muaj gjatë sezonit turistik në zonën e Plazhit të Durrësit. Për këtë arsye drejtoria rajonale tatimore e Durrësit ka nisur dje një aksion për të kaluar në sitë të gjitha bizneset e këtij llojit që nuk janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Në aksion ka marrë pjesë kreu i drejtorisë rajonale tatimore, Shkëlqim Fortuzi, si dhe drejtori i sektorit të kontrollit pranë kësaj drejtorie Gjon Ndoji. Fillimisht, dhjetëra efektivët e tatimeve kanë ndaluar në sektorin “Iliria” të Plazhit, aty ku gjenden dhjetëra biznese të vegjël që shesin artikuj të ndryshëm industrialë. Tregtarët në fjalë janë vendosur buzë rrugës, ngjitur me kompleksin “Florida”, në ambiente që janë lëshuar me qira nga persona të ndryshëm. Bazuar edhe në ndryshimet e ligjit për subjektet ambulantë dhe biznesin e vogël, tatimorët kanë vepruar duke sekuestruar mallin që është gjetur në këto subjekte, ndërkohë që janë ulur të gjithë qepenat e tyre. Veprimi i tatimorëve për sekuestrimin e mallit ka hasur në kundërshtimin e tregtarëve, të cilët nuk kanë lejuar që të veprohet në këtë mënyrë. Ligji i ri i ndryshuar parashikon që subjektet që gjenden pa numër NIPT-i nga QKR dhe rrjedhimisht nuk janë të regjistruar, iu sekuestrohet malli që gjendet në momentin e kontrollit në ambientet ku kryhet veprimtaria fiskale. Në një prej dyqaneve që gjenden në këtë vend reagimi ka qenë i ashpër, pasi burri dhe gruaja që kanë qenë duke shitur artikuj të ndryshëm nuk kanë lejuar sekuestrimin e mallit, duke u konfrontuar edhe fizikisht me specialistët e degës së tatimeve. Një gjë e tillë ka krijuar një konfuzion tek të gjithë tregtarët, të cilët në të njëjtën mënyrë nuk janë regjistruar në QKR. Reagimi dhe kundërshtimi që kanë bërë tregtarët, ka detyruar tatimorët që të shkojnë për kontroll në tregun tjetër industrial në Plazh, tek tregu “Kasa”. Edhe në këtë vend ka qenë e njëjta situatë, tregtarë të vegjël që nuk kanë pranuar sekuestrimin e mallit. Tregtarët janë shprehur se nuk janë njoftuar më parë për këtë gjë, ndërkohë që edhe shitjet e tyre janë aq të pakta, saqë ata nuk janë në gjendje të paguajnë asgjë.
Aleks Kalemasi